Izetbegoviç: Nuk kam kërkuar njohjen e Kosovës

Pas reagimeve të shumta në Serbi, anëtari i presidencës së Bosnjë-Hercegovinës Bakir Izetbegoviç duket se është tërhequr nga deklarata e tij se Sarajeva do të njohë pavarësinë e Kosovës.

“Pjesë të intervistës në Deutsche Welle janë përcjellur gabimisht nga Tanjug-i, jashtë kontekstit dhe në mënyrë tendencioze, duke shtrembëruar thelbin e vërtetë të deklaratës”, ka thënë Izetbegoviç, përcjell Konica.al.

Stafi i Presidencës së Bosnjë-Hercegovinës ka vlerësuar se informacioni i dhënë nga agjencia serbe e lajmeve ka shkaktuar një sërë reagimesh të papërshtatshme.

“Në vend të korektimit të lajmit të rrejshëm që postuan, Tanjug ka vazhduar të gënjejë publikun, të nxjerrë fakte dhe të bëjë falsifikime të reja”, ka thënë Izetbegoviç në reagimin e tij.

Ai ka shtuar se është e qartë që Tanjugu nuk e ka bërë rastësisht këtë, pasi që, sipas tij, qëllimi i dikujt është shkatërrimi i marrëdhënieve mes Bosnjës dhe Serbisë, dhe krijimi i një fryme të rëndë në prag të vizitës së presidencës boshnjake në Beograd.