Izraeli së shpejti eksportues i kanabisit. 1.1 miliardë dollarë shtesë në ekonomi

Parlamenti i Izraelit ka miratuar në parim projektligjin që lejon eksportimin e kanabisit mjekësor, ndërsa brenda vitit të ardhshëm pritet të plotësohen dhe aktet nënligjore.

Kjo do të thotë se shteti në Lindjen e Mesme do të hyjë së shpejti në tregun botëror të shitjes së kanabisit, ku aktualisht ndodhen lojtarë të mëdhenj si Kanadaja dhe Holanda. Në të ardhmen e afërt pritet që edhe Uruguaji e Kolumbia, të cilat kanë miratuar kornizën ligjore të nevojshme, të nisin shitjen e bimës.

Një përllogaritje e ekipit ndërministror tregoi se shitjet jashtë vendit vetëm për shtetet që kanë shfaqur tashmë interes arrijnë deri në 1.1 miliardë dollarë në vit. Ky do të ishte një kontribut i jashtëzakonshëm për ekonominë 320 miliardë dollarëshe.

Për të dalluar nga konkurrentët, qeveria izraelite kërkon që të flasë vetë produkti, i cili prodhohet me të njëjtën teknologji bujqësore si ajo që bëri shkretëtirën të lulëzojë. Infrastrukturën e avancuar të Izraelit e konfirmojnë edhe analistët pranë firmave amerikane të dedikuara për industrinë e kanabisit.

Ekipi shtetëror që rekomandon eksportin thotë se kompanitë izraelite duhet të mbajnë standarde të larta në nivel mjekësor dhe se do të jenë subjekti i mbikëqyrjes së rreptë, ndërsa shitjet do të lejohen vetëm tek vendet që specifikisht e aprovojnë mallin e Izraelit.

Tregu për kanabis mjekësor pritet të arrijë një vlerë prej 33 miliardë dollarësh në vitin 2024. Ky është një trefishim i shitjeve të projektuara për këtë vit, nxitur nga pranimi në rritje i marihuanës si trajtim për dhimbjet, sklerozën e shumëfishtë, kancerin, artritin dhe sëmundje të tjera kronike.

Disa kompani mjekësore izraelite po punojnë edhe për zgjerimin e përdorimit të kësaj bime. Tashmë është ngritur një institut, i cili trajton rreth 60 fëmijë me autizëm me kanabis, të cilët pas trajtimit shfaqin përmirësime të ndjeshme. Synimi është që Administrata Federale e Drogërave në SHBA ta njohë këtë si një trajtim eksperimental, duke i hapur rrugë eksportit.

Ministria e Shëndetësisë planifikon të rrisë licencat për kultivuesit e kanabisit nga 8 në 50, duke pranuar edhe më shumë se 150 propozime kërkimore për përdorimin e bimës për arsye mjekësore. Prodhuesit aktualë madje po përgatiten për prodhim në masë.

Por pavarësisht këtyre përpjekjeve, përdorimi i marihuanës për publikun e gjerë është i ndaluar, ndërsa ushtarët i nënshtrohen edhe testeve periodike. Megjithatë ka pasur disa zbutje të legjislacionit, ku individët që shkelin ligjin herën e parë dhe të dytë për përdorimin e drogës thjesht gjobiten. (Burimi: SCAN)