Kinemaja franceze godet sërish! «Një grua e re», film me regji të Léonor Serraille!

Në maj të 2017-ës, regjizorja e re franceze Léonor Serraille (e sapo diplomuar në «La Femis», në më të mirën shkollë evropiane për kinema!) u kthye nga festivali i fundit në Kanë me një trofé jo të vogël: me Kamerën e Artë, çmim që i jepet filmit më të mirë debutant, pra filmit të parë fare të një regjizori.

«Një grua e re» mund të renditet pa frikë në listën e filmave më të mirë që kanë fituar ndër vite këtë çmim, duke filluar nga «Stranger than paradise» (perla e Jim Jarmush në 1984), duke vazhduar me «The white balloon» (të iranianit Jafar Panahi në 1995) e për të përfunduar me «Tokën e braktisur» (të sri-lankezit Vimukthi Jayasundara në 2005),  apo “Hunger“ e Steve McQueen.

Thënë ndryshe, në fakt, nuk është çmimi që i bën nder «Një gruaje të re» (sepse ndër vite, një pjesë e madhe e “Kamerave të Arta”, kanë qenë filma të dobët) por është filmi në fjalë që i bën nder çmimit.

Historia është nuk ka ku të shkojë më e thjeshtë : Paula, një grua e re tek të 30-at, kthehet në Paris pasi ndahet nga partneri i saj. E papunë, pa miq, Paula provon të bëjë njohje të reja.

*

Përpara disa vitesh kam parë «Mbretëreshën e mollëve», filmin e parë fare të një tjetër regjizoreje franceze, i cili po ashtu nisej nga e njëjta premisë : një vajzë e re ndahet nga i dashuri dhe rifillon jetën «nga e para». Pak a shumë, e njëjta gjë ndodh edhe me «Gruan e re» , me të vetmin ndryshim që «Mbretëresha e mollëve » (La reine des pommes) ishte qartazi komedi (film burlesk). Pra mund të themi që «Një grua e ré» (Jeune femme) fare mirë mund të titullohej edhe «Mbretëresha e mollaxhijeve», po të kemi parasysh që në gjuhën frënge, nëse ‘pomme’ do të thotë mollë, ‘paumé’ do të thotë looser (i humbur, i braktisur). Nga «La reine des pommes» (Mbretëresha e mollëve) kalojmë tek « La reine des pommés» (Mbretëresha e të braktisurve). Kalojmë nga komedia burkeske tek komedia ‘kapriçoze’ (që në fakt nuk është komedi e mirëfilltë).

Po ç’kanë të përbashkët atëherë këta dy filma?

Vitet e fundit, kinemaja franceze ka tentuar (më saktë, ka guxuar!!) jo pak për nga vena ekscentrike (duke filluar me Steak i Quentin Dupieux, “Vincenti nuk ka luspa” i Thomas Salvator, “Kulla e kontrollit të trafikut ajror” i Eric Judor apo Burno Dumont me “Ma loute” dhe “Petit Quinquin” -për të përmendur vetëm disa syresh të viteve të fundit): filma që guxojnë të jenë “të ekzagjeruar”, “absurdë”, “irreverencialë”, “monstra”.

Tek “Një grua e ré”, është heroina kryesore ajo që ka tipare ekscentrike, ndërsa vetë filmi ruan në aparencë trajtat e komedisë ‘kapriçoze’ (fantaske, në frengjisht). Megjithatë, edhe pse nuk pretendon të revolucionarizojë gramatikën e kinematografisë (në dukje, filmi është ‘klasik’, pra nuk ka asgjë të veçantë për nga mizaskena), ai është shumë e shumë herë më i lirë se ç’duket. Domethënë edhe shumë herë më ekscentrik (se në shikim të parë).

Himn për aventurën, “Një grua e ré” është po aq ‘aventuror’ sa dhe heroina e tij. Pra është nga ajo ‘rracë’ filmash të shkëlqyer që nuk ke ç’thua shumë, sepse të lënë pa fjalë.
Domethënë, të lënë plot imazhe në kokë!

10.0 !

trailer:

/kinoditar