Kreditë e këqija/FMN: Në Shqipëri zbatimi mbart më shumë rrezik

Kreditë e këqija, në fund të shtatorit, shënuan nivelin më të ulët të tyre në 6 vitet e fundit me 14.7% të totalit, sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë. Ky nivel duket se erdhi falë zbatimit të planit të masave që ka nisur prej kohësh dhe mes të tjerave përfshiu fshirjen e një shume të konsiderueshme të këtyre kredive rreth 300 milionë euro nga bilancet e bankave, që nga viti 2015.

Fondi Monetar Ndërkombëtar, në raportin e fundit për parashikimin ekonomik rajonal të titulluar “Europa prek hapat e saj”, publikuar ditën e sotme, është ndalur pikërisht në strategjinë që kanë ndjekur dy vende, Shqipëria dhe Serbia, për zgjidhjen e problemit të kredive të këqija duke përcaktuar ecurinë fazë pas faze dhe efektet pozitive dhe negative në zinxhirin e zbatimit.

Strategjitë e zgjedhura për uljen e kredive me probleme

“Të përballura me nivele të larta të kredive të këqija, Shqipëria dhe Serbia kanë hartuar strategji për të ndjekur problemin që ka një natyrë shumëdimensionale. E nisur në pjesën e dytë të vitit 2015, strategjia mbulon pjesën e mbikëqyrjes bankare, çështjet e taksave, procedurat e gjykatave, e një sërë aspektesh të tjera.

Secila nga këto strategji kërkon trajtim të përbashkët që koordinon bankat qendrore, ministrinë e Financave, autoritetet e taksave dhe të sistemit gjyqësor. Strategjitë përfshijnë një fazë fshirjeje për të reduktuar kreditë me probleme, si dhe një fazë reformash strukturore për të parandaluar rritjen e mëtejshme të kredive të këqija, çka mund të pengojë zgjidhjen e problemit”, thuhet në raportin e FMN.

Në të dyja rastet, sipas raportit, faza e parë është fokusuar tek politikat e fshirjes që ka ndihmuar në uljen e nivelit të kredive me probleme. Më herët, fshirja kundërshtohej nga bankat për shkak të provigjoneve të pamjaftueshme, objektivave të kredisë të vendosura nga grupet bankare mëmë, si dhe çështjet e taksave. Sipas Fondit, gjatë 2015-2016 fshirjet arritën rreth 6% të totalit të kredive në Shqipëri dhe më shumë se 3% në Serbi.

“Ndërkohë që fshirjet ulën nivelet e kredive me probleme, proceset e ngadalta të zbatimit të vendimeve të gjykatave dhe kthimi i ulët nga kolaterali mbeten probleme me ndikim negativ. Kreditë e këqija janë hequr nga bilancet duke dhënë incentiva për rinegocim të shitjeve”, pohon raporti.

Duke qenë tregje të vogla, Shqipëria dhe Serbia duket se nuk janë atraktive për kompanitë e mëdha që merren me menaxhimin e aseteve.

“Megjithëse shitja e borxhit të keq ka mbetur e limituar në Shqipëri dhe Serbi, kompanitë e menaxhimit të aseteve presin nivel të ulët të rikuperimit. Sfidat për rikthimin dhe shitjen e kolateralit u atribuohen procedurave të gjata në gjykatë, tipareve kulturore (në qytete të vogla shtëpitë shiten me vështirësi sepse gjithmonë bëhet lidhje me pronarin e mëparshëm) si dhe mungesës së ekonomisë së shkallës. Kompanitë e menaxhimit të aseteve preferojnë tregje me nivel më të lartë përfitimi nga kreditë e këqija si Italia krahasuar me tregje të vogla si Shqipëria dhe Serbia”.

Pse zgjidhja e Shqipërisë nuk është e plotë

Strategjia e uljes së kredive me probleme përfshin në fazën e dytë të saj masat për përmirësimin e zgjidhjes së kredive me probleme duke përshpejtuar ekzekutimin e vendimeve nga gjykatat, por kjo fazë kërkon më shumë kohë për t’u zbatuar plotësisht.

“Këto masa kanë munguar pjesërisht për shkak të kompleksitetit të koordinimit që kërkohet për të amenduar ligjet siç është paaftësia paguese dhe Kodi Civil që janë të nevojshëm për të përshpejtuar proceset në Gjykatë dhe ekzekutimin e kolateraleve. Shqipëria aprovoi ligje të reja për paaftësinë paguese dhe përmbarimin, por zbatimi i tyre është peng i akteve nënligjore.

Në përfundim, ekzistenca e mekanizmave të monitorimit është çelësi për suksesin e strategjive për raportimin e rregullt të progresit dhe ndjekja hap pas hapi siguron zbatim dhe përgjegjësi. Ndërkohë që strategjia e Serbisë kërkon një raport të rregullt mbi progresin çdo 6 muaj, strategjia e Shqipërisë përfshin vetëm monitorimin ad hoc (të posaçëm) që mund të minojë llogaridhënien dhe zbatimin”, nënvizon FMN. (Burimi: Monitor)