Meta takim me Zv.presidenten bullgare/ Ja kur hapen negociatat

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta, priti sot në një takim të veçantë Zëvendës Presidenten e Republikës së Bullgarisë, zonjën Iliana Iotova.

Duke e konsideruar procesin e integrimit evropian një forcë të fuqishme nxitëse për reformat e gjithanshme në vend, Presidenti Meta, shprehu besimin se gjatë Presidencës së ardhshme bullgare të BE-së, Shqipëria do të mund të çelë negociatat e anëtarësimit.

Gjithashtu Presidenti Meta theksoi domosdoshmërinë e liberalizimit sa më të shpejtë të vizave ndërmjet BE-së dhe Kosovës.

Të dy bashkëbiseduesit ndanë të njëjtin mendim lidhur me nevojën e një vëmendjeje më të madhe nga të dy vendet për rivitalizimin e bashkëpunimit ekonomik e tregtar, veçanërisht në kuadrin e ndërlidhjes energjetike dhe të Korridorit të 8-të multimodal.

Zonja Iotova e siguroi Presidentin Meta se, Shqipëria dhe rajoni i Ballkanit Perëndimor do të ketë një vëmendje të veçantë gjatë Presidencës bullgare, për të rikthyer edhe njëherë vemendjen e BE-së ndaj këtij rajoni dhe procesit të zgjerimit.