Milan rrezikon përjashtimin në Europë

Milan ka bërë plot 12 blerje në merkaton e verës, duke qenë skuadra me më shumë përforcime në Europë. Mbi 200 milionë euro të shpenzuara dhe Milan nuk është as në zonën europiane në renditjen aktuale të Serie A. Megjithatë, edhe nëse kap Kupat e Europës, Milan rrezikon shumë, pasi mund të përjashtohet.

Drejtuesit e Milanit u paraqitën para disa ditësh në UEFA për të prezantuar një projekt që justifikonte investimet e mëdha në merkato duke i shpëtuar sanksioneve nga rregullat e “Fair Play Financiar”. Megjithatë, media spanjolle “Marca” raporton se Marco Fasone, përfaqësuesi kryesor i Milanit në këtë takim, nuk arriti të bindte askënd nga paneli i caktuar që kryesohet nga presidenti i UEFA-s, Aleksander Ceferin. Duket se klubi kuqezin rrezikon seriozisht.