Nuk gjente punë, 23-vjeçari vetëvaret në pemë

Nuk janë të paktat rastet kur të rinjtë i japin fund jetës për shkak të mos gjetjes së një pune. E tillë është historia e 23-vjeçarit Roland Bilaj, i cili u vetëvar në pemë, pasi prej një viti ai nuk gjente punë.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur në fshatin Kurtiez në Buz të Tepelenës, ku i riu u gjet i vetëvarur në degën e një peme nga familjarët e tij. Pema e kumbullës ku 23-vjeçari kreu vetëvrasjen ndodhej jashtë oborrit të shtëpisë.

I ndjeri, prej mbi një viti kishte kërkuar punë, por më kot. Ai kishte emigruar dhe në Greqi, por ishte rikthyer në Shqipëri pas tentativës së dështuar.

Të afërmit tregojnë se 23-vjeçari kishte vetëm një vit që kishte përfunduar studimet e larta për administrim-biznes në Universitetin e Gjirokastrës. Gjatë kësaj kohe, ai ishte mbyllur në vetvete, duke mos komunikuar as me familjarët.

Grupi hetimor, pas mbërritjes në vendin e ngjarjes, ka nisur punën për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.