Opozita e taksave!

Nga Ilirjan Blloshmi

Opozita, ose me saktë PD-ja, ka filluar të flasë për taksat dhe ekonominë. Kjo është gjë e mirë, të flasësh për ekonominë vë në siklet gjithmonë qeverinë (kushdo qoftë kjo qeveri), të flasësh për ekonominë e shqiptarëve bëhesh më serioz se, fjala vjen, të qenët antikomunist, komunist, ballist apo ku di unë. Duke se opozita e veçanërisht PD-ja mësa duket e kanë kuptuar këtë gjë. Por PD-ja po luan keq me pjesën e taksave.

•Së Pari: Taksat nuk kanë efekte magjike, që PD-ja po e kërkon me kaq ngulm. Sepse po të ishte kështu, do të ishte aplikuar menjëherë dhe nga të gjitha vendet një nivel sa më i ulët i taksave dhe do të ishte eliminuar rënia ekonomike dhe rritja e borxheve. Po kështu, nëse shohim realitetin në vende të ndryshme të BE-së, nuk do të gjejmë një lidhje të drejtpërdrejtë midis nivelit të taksave dhe rritjes ekonomike dhe krizës së borxheve. Pra, e thënë më shkurt, një ulje e pastudiuar e taksave nuk është shoqëruar me rritjen e rritjes ekonomike. Çdo qeveri e ka të qartë që ulja e rritjes ekonomike rrit riskun që rënia e të ardhurave nga ulja e taksave të çojë në rritje të abuzivitetit në mbledhjen e taksave dhe në rritje të deficitit dhe borxhit publik.

•Së dyti, opozita duhet të thellojë debatin me ekonimistët që ka, duhet të gjejë, strukturë dhe cili nivel i taksave ndihmon më shumë rritjen cilësore të ekonomisë së vendit. Cila politikë fiskale i shpërndan më mirë përfitimet e rritjes ekonomike, ulja e menjëhershme dhe e pastudiuar e taksave, apo ulja e borxhit publik; ulja e kostos së borxhit dhe rritja e investimeve private e publike në sektorët parësorë të ekonomisë?

•Së treti, qoftë dhe për arsye politike, PD-ja nuk duhet të dërgojë vlerësime kritike për ekonominë tonë (FMN ose BE) për taksat, korrupsionet etj., etj. Sepse çdo investitor strategjik, për të bërë një analizë të risqeve në ekonominë shqiptare, do të duhet t’u referohet vlerësimeve të FMN-së, BB-së. Sa më i dobët vlerësimi për vendin tonë, aq më e madhe kostoja e financimit të investimeve të tyre, çka ose do t’i spostojë investimet e tyre në vende të tjera, ose do t’i spostojë investimet në kohë për një periudhë tjetër.

•Së fundi, duket se premtimet për ulje të taksave janë më shumë një populizëm elektoral sesa një mundësi reale në ekonominë e vendit tonë.