Pacolli për Engel: Ky është miku më i madh i shqiptarëve në SHBA

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme Behgjet Pacollit ka pasur sot një mëngjes pune me kongresmenin amerikan Eliot Engel, i cili po qëndron për vizitë disaditëshe në vendin tonë.

Sipas njoftimit të Pacollit, në takimin me përkrahësin më të madh të shqiptarëve në SHBA, siç e ka quajtur kongresmenin demokrat, ka biseduar për proceset politke si dhe shtimin e përpjekjeve amerikane për konsolidimin e mëtejmë të shtetit të Kosovës, raporton Konica.al.

“E falënderova në veçanti për programin Korporata Sfidat e Mijëvjeçarit (MCC), i cili do t’i sjellë vendit tonë 49 milion euro investime dhe shumë vende të reja pune”, ka thënë ai.

“Njeriu më meritor për shtyrjen përpara të këtij programi ka qenë Kongresmeni, Eliot Engel dhe Shefi i Stafit të Demokratëve në Komitetin mbi Marrëdhënie me Jashtë z. Jason Steinbaum. Është vërtetë kënaqësi dhe nder i madh që vendi dhe populli ynë ka miq kaq të mëdhenj dhe modest si Kongresmeni Engel”, ka shkruar Pacolli në faqen e tij në Facebook.