Pas 9 vitesh, Serbia shqipton dënime minimale për sulmuesit e ambasadës amerikane

Gjykata e Lartë në Beograd ka shqiptuar dënime prej pesë deri në gjashtë muaj burgim për fajtorët për djegien e ambasadës amerikane në Beograd gjatë marshimit ‘Kosova është Serbi’, në vitin 2008, njofton Tanjug.

Dejan Vuçkoviç, Dragan Marinkov dhe Marko Novitoviç janë dënuar me gjashtë muaj burgim për ‘rrezikim të sigurisë së përgjithshme’, kurse Milan Tomas është dënuar me pesë muaj burgim, përcjell Konica.al.

Gjorgje Tomin, Nikola Kosanoviç dhe Filip Backoviç janë liruar nga akuzat për mungesë të dëshmive se kanë kryer vepra penale.

Të akuzuarit janë gjetur fajtor për hedhje të gurve në drejtim të ambasadës së Shteteve të Bashkuara me fytyra të mbuluara, kanë thyer dritaret dhe kanë shkaktuar zjarrin brenda godinës, thuhet në verdiktin e gjykatës.

Ata po ashtu do të mbulojnë shpenzimet e seancave.

Dëmet në ndërtesën e Shteteve të Bashkuara llogariten në rreth 900 mijë dollarë, edhe pse ambasada nuk ka kërkuar ndonjë kompensim.

Ndryshe, Prokuroria Publike në Beograd ka ngritur akuza edhe ndaj pesë zyrtarëve policorë që ngarkohen me veprat penale të rrezikimit të sigurisë së përgjithshme dhe shpërdorimit të detyrës.