Restauruan kullat, 200 mln lekë gjobë banorëve të Thethit

Banorët e Thethit kërkojnë tapitë e pronave, të trashëguara nga të parët e ku kanë lindur edhe vetë, pasi po përballen me gjoba e procedime nga policia e shtetit dhe Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit për kullat që kanë rikonstruktuar. Të gjendur përballë një fakti të tillë ata kërkojnë zgjidhje, pasi vlera e gjobave ka shkuar në 200 milion lekë.
“Kemi kullat tona dhe kemi filluar ti rikonstruktojmë, për të ruajtur traditën dhe shteti shqiptar na ka gjobitur, na ka vendosur 200 milion lekë gjobë, ndërkohë që kemi tokën tonë, kemi 300 vjet aty”, shprehet Marash Rrgalla, kryetar i fshatit Theth.

“Kohët e fundit kemi pas IKMT pa ndonjë motiv edhe për ndërtesat që janë bërë vite më parë, kanë vu gjoba, kanë çu gjobat me postë, më shumë se 50% e fshatit kanë marrë gjoba për rikonstruksionet, dhe janë me çështje të hapura në gjykatë”, tha Pavlin Polia, banori i Thethit.

“Prej 12 brezave jetojmë aty, sot në 2017 me thënë që nuk e ke tokën tënde”, shprehet i irrituar Pjetër Marku.

Këshilltari bashkisë Shkodër, Mark Rupa e quan një skenar të qeverisë këtë që po ndodh në Theth, ndërsa kërkon të zbardhet e vërteta.

“Ka një skenar që për 25 vite banorët të përjashtohen nga çdo lloj e drejte pronësie, momentalisht luftohen nëse ata vënë dorë për të rikonstruktuar banesat, ndërsa qeveria shqiptare dhe kryeministri Rama thotë që do shtroj rrugët dhe do çojë atje investitorë të huaj. Po këta banorë që kanë vite që jetojnë aty dhe shyqyr erdhi dita që të investojnë aty, tashmë të bëhen skllevër të investitorëve të huaj.  Cili është skenari?”, shprehet një nga këshillëtarët e Bashkisë Shkodër.

Një përfaqësi e banoreve të Thethit zhvilloi takime kryebashkiaken e Shkodrës dhe  prefektin për ti shprehur shqetësimin e tyre, duke i kërkuar zgjidhje.