SHQIPTARËT E GREQISË- NJI HISTORI  E  DOKUMENTUEME (Pjesa III)

Nga Sami Repishti

“Çamëria gjatë L2B dhe përtej” përmban 19 dokumente; shumica e tyne botohen për herë të parë.

Dokumenti i parë mban datën 21 shtator 1940, d.m.th. pesë javë para agresionit fashist italian kundër Greqisë dhe  firmën:Veip Demi, kryetar, dhe Rushid I. Didan, sekretar i Shoqatës Çamëria (në SHBA) Dokumenti ashtë nji letër drejtue editorit të gazetës londineze The Times, dhe ashtë nji thesar i vërtetë korrektësia politike dhe aftësie diplomatike. Këtu japim pikat kryesore:

  1. Mund të ketë interes për ju ose mund të shërbejë si bazë për veprim nga ju me ditë se nji grup patriotësh shqiptarë në SHBA, e quejtun’‘Shoqata Shqiptare Çamëria’, kundërshton me kambëngulje politikën e Italisë që synon me qetësue Shqipërinë me përpjekje për marrjen e territorëve (siç ashtë Çamëria).

2. Shoqata deklaron se interesi i vërtetë i Mussolinit në Çamëri nuk ashtë humanitar, por grabitçar.

3. Shqiptarët nuk janë banditë, por të frymëzuem me nji vendosmëni të vërtetë me arritë statusin e nji kombi të lirë dhe të pavarun.

  1. Afërsisht dy vjet ma parë, Shoqata e jonë botoi informatën për trajtimin çnjerëzor të bashkëkombasve tonë shqiptarë në Çamëri, sot nën sundimin grek.
  2. I ashtuquejtuni interesim miqësor i qeverisë italiane në trajtimin e shqiptarëve në Greqi nuk mund të quhet nga ne si interesim i sinqertë, përsa kohë që Italia sundon Shqipërinë, dhe përpiqet me okupue territore të tjera shqiptare, dhe më pasë akoma ma shumë shqiptarë për perandorinë e vet.
  3. Zgjidhja e vërtetë e problemit shqiptar nuk arrihet me anën e kontrollit nga ana e Italisë ose Greqisë,të popullit shqiptar.
  4. Parimi i vetë-vendosjes për kombet e vegjël, jo vetëm që do të sjellë nji popull shqiptar të lirë e të bashkuem, pa trazime të mbrendshme e të jashtme, por do të eliminonte nji pikë të rrezikshme për nji paqe europiane dhe do të ruente racën ma të vjetër ekzistuese në Europë.”

Më 7 korrik, 1944, nji dokument ushtarak i forcave të okupacionit gjerman (në Greqi) tregon se përfaqësuesi i Hitlerit për Ballkanin, Neuebacher, ka neglizhue problemin e çamëve, “…për arsye se administrata shqiptare (në Çamëri) tani për tani funksionon mjaft mirë,. Nga ana tjetër, bashkimi i këtij territori me Shqipërinë,. nji zgjidhje që dëshirojnë shqiptarët, nuk mund të garantohet. Të dy palët (shqiptarë e grekë) janë njoftue se nji komision gjerman do të formohet me përcaktue këtë problem, por formimi i tij ashtë shtye vazhdimisht…”(f.339) (Shënim: bashkimi i Camërisë me Shqipërinë në vitin 1941, nuk ashtë ba me kënaq kërkesat greke të kolaboracionisteve greke të Athines.SR)

Nji dokument i datës 17 tetor 1944, i përgatitun nga Komiteti Antifashist i Çamërisë (Tiranë) numëron krimet dhe grabitjet e çamëve nga autoritetet dhe agjentët grekë, e proteston: “…kundër barbarizmave të pashembullta të krimeve të kryeme nga bandat e E.D.E.S-it në kurriz të popullsisë së pafajshme shqiptare që mbetet akoma në Greqi; ma shumë se 300 gra e fëmijë janë vra, të vejat dhe vajzat e reja janë përdhunue, dhe vazhdojnë me jetue në nji gjendje pa mbrojtje, vazhdojnë me qenë viktima të akteve të paturpshme në duert e kriminelëve të E.D.E.S-it Përmbi 2500-3000 shtëpi janë djegë e shkrumue, dhe të gjitha  rezervat ushqimore  dhe të tjera janë djegë e shkatërrue krejtësisht…..Popullsia shqiptare e Çamërisë nuk janë përgjegjës për krimet e bame nga greket dhe shqiptarët e Çamërisë….Shqiptarët e Çamërisë nuk pranuen planet e E.D.E.S-it dhe për këtë ata vuejnë persekutimet

Pakica shqiptare në Çamëri e quen veten pjesë integrale e popullit grek, me të cilin ajo ka interesa të përbashkëta. Gjaku i derdhun bashkërisht në luftën për çlirimin e Greqisë ka forcue edhe ma shumë vëllaznimin në mes tyne.

Pjesëmarrja e 500 shqiptarëve çamë në rradhët e ELLAS-it ka qenë nji akt për të cilin na jemi kryenalt, sepse në këtë ne morëm pjesë në luftën për çlirimin e popujve. Si rrjedhim, na kërkojmë:

Kthimin e menjihershëm të popullsisë çame (në Greqi) dhe sigurimin për vendosjen e mundësinë e jetesës; tërheqjen e menjihershme të EDES-it nga Çamëria, barazinë në të drejtat simbas Kartës së Atlantikut, lirimin sa ma shpejt të 300 grave dhe fëmijëve që mbetën akoma në kampet e përqëndrimit të Filatit dhe Paramithisë…”Çamëria e Lirë!” (f.341)

Ky dokument përsëritet në raportin e forcave ushtarake britanike në lidhje me minoritetin shqiptar në Epir, dhe përfundon me këtë shënim : “…pakica shqiptare deklaron se konsideron veten si “pjesë e pandashme e popullit grek” (jo shkëputje nga Greqia, SR) Dokumenti ka nji randësi të veçantë sepse shoqënohet nga “komente” të “Seksionit për Shqipërinë” datë 8 janar 1945, që përfshin aspektet historike, kufinjtë, popullsinë, numrin e pakicës shqiptare në Greqi, situatën gjatë okupacionit italian, raportet e Frontit Nacional-Çlirimtar (të Shqipërisë) me pakicën shqiptare, ELLAS-in, dhe vazhdon me “Vrejtje të Përgjithshme”

Në seksionin 7: “Sulmet e shqiptarëve myslimanë (kundër popullsisë greke)” bahet kjo vrejtje ma randësi:

”…Vlen të shënohet, megjithatë, se shumica e këtyne sulmeve u krye MBAS vendosjes së forcave të Zervas në Epir”f. 347) (Theksi im.SR) Në valën e hakmarrjes greke, bandat e Zervas “…dogjën plotësisht Margaritin, nji nga fshatet ma të bukura të Epirit”.(f.350).

Raporti i Seksionit për Shqipërinë jep këtë përshkrim :

“Përfundim: Problemi i shqiptarëve myslimanë nuk ashtë zgjidhë akoma. Po të krijohet nji qeveri nacionaliste në Athinë në mbarim të Luftës, nuk ka asnji dyshim se ajo do të deklarojë që nuk ka  asnji shqiptar mysliman në Greqi, dhe se problem i vetëm që mbetet ashtë ai i pakicës greke në Shqipëri,  zgjidhja e vetme e të cilit ashtë lëvizja e kufinit grek deri në mesin e Shqipërisë.

Po të kontrollohet Epiri nge ELLAS ndërkaq, ka mundësi që shqiptarët myslimanë do të lejohen me u kthye në shtëpitë e tyne, dhe ka mundësi që të inkurajohen me u hakmarrë kundër elementit nacionalist (grek) në Epir.

Çdo përpjekje me kënaqë kërkesat e nacionalistëve (grekë) natyrisht do të kundërshtohet fuqimisht nga Shqipëria, dhe në të njëjtën kohë do të krijojë nji tjetër problem minoriteti. Nga ana jetër, në qoftë se ELLAS do të lejonte kthimin e shqiptarëve myslimanë në Greqi, i gjithë problemi nuk ashtë ma afër nji zgjidhje të mundshme.

Çfarëdo që të bahet, me përjashtim të masave për transferimin radikal të popullsive, duket se ky problem do të mbetet si nji nga problemet e vogla, por të komplikueme, ashtu siç janë tani në vendet e tjera të Ballkanit”. (f.350)

Në nji report nga Zyra britanike në Bari (Itali) për Komandën e Mesdheut Qëndror në Caserta (Itali) përsëriten akuzat greke: “Duket se ky grup shqiptar (çamët) kanë ndihmue ushtrinë italiane në fushatën e vitit 1940 kundër Greqisë, dhe në 1944, kanë ndihmue aktivisht forcat gjermane te okupacionit…Dyshohet se në nji lokalitet, 40 ushtarë të Zervas janë zhdukë, dhe ma vonë janë gjetë të vramë…Ky incident ka shkaktue hakmarrjen e forcave të Zervas që përfundoi me debimin, në Shqipëri,  të gjithë grupit shqiptar. (Firmue F.Ë.Deakin,) (f.351)

Tue komentue mbi gjendjen ne Çamëri, koloneli anglez C.A.S.Palmer, në nji raport mbas vizitës së tij në Çamëri, gjatë 9-14 prill 1945, mbasi përshkruen ndjenjat e urrejtjes së fortë greke kundër shqiptarëve që jetojshin në zonat ma te mira të Çamërisë –Filati, Paramithia, Margeriti, Gumenica, thekson se :”…ka qenë gjithmonë nji ndjenjë urrejtje dhe smire nga ana e grekëve të kësaj zone kundrejt çamëve”, dhe len te kuptohet per arsye te pasunive të tyne. Koloneli Palmer nuk përjashton mundësinë e bashkëpunimit t çamëve me gjermanët dhe shton: “…Ushtarët e EDES-it gjetën mundësinë për hakmarrje. Përleshjet u hapën gjatë verës së vitit 1944 me provokime ndoshta nga të dy palët, nji situatë që, pa dyshim, ashtë inkurajue nga gjermanët…. Sulme të reja u banë më 12 dhe 16 mars 1945, që ishin nji vazhdim i ndjenjave ekstreme anti-shqiptare që ekzistojnë në Greqi për atë krahinë (Çamërinë) dhe jo të provokueme nga ana e vetë shqiptarëve. Si rrjedhim i këtyne sulmeve, tashti nuk ka mbetë asnji shqiptar mysliman në Greqi”…dhe “ashtë e pamundun për shqiptarët me u kthye në votrat e tyne sepse vendi kontrollohet nga qeveria (nacionaliste) greke” (f.355)

Kolonel Palmer raporton:

“Grekët  reklamojnë se nga 1.000.000 shqiptarë, 450.000 janë grekë, pretendime e kalojnë për së tepërmi çdo konstatim të paraqitun deri tashti nga cilado qeveri greke, dhe jep përshtypjen se janë pretendime të pa bazë dhe të papërgjegjshme që tregojnë urrejtjen shumë të theksueme për shqiptarët nga ana e grekëve. Kjo urrejtje ashtë shumë e fortë dhe drejtohet jo vetëm kundër çamëve, por kundër shqiptarëve në përgjithësi. (idem)

Ajo qe ashte me te vertete deshpruese ashte qendrimi i Qeverise komuniste te Tiranes kundrejt problemit çam: “persa  perket Frontit Nacional-Clirimtar (FNC) shqiptar asnji kerkese nuk i ashte ba Greqise per Çamerine. Une mendoj se nuk ka gjase qe te bahet ndonji kerkese (per çamet) vetem ne raste per kunderbalancimin e kerkesave greke”(f.356)

Mbas nji vizite në kampin e refugjatëve çamë në Shqipërinë e Jugut, Gjeneral Brigadier M.A.Hodgson, i Misionit britanik në Shqipëri, raportonte me datën 15 prill 1945:

“Nga fundi i dhjetorit 1944, afërsisht 18.000 çamë të minoritetit shqitar në Greqi kanë ik, kanë kalue kufinin, e Shqipërisë  dhe kanë gjetë strehim në Shqipëri. Në janar 1945, me inkurajimin e qeverisë shqiptare disa çamë janë kthye në Greqi…. Në mars 1945, nji grup i dytë prej afër 5.000 vetash kanë dalë përsëri në Shqipëri, duket si rrjedhim i persekutimeve nga ‘Ushtria Kombëtare Greke’…së bashku me banda të armatosuna nga Korfuzi dhe popullsia lokale greke…” Masakrat e Filatit kanë ngja me 13 mars 1945…”Dëshira  e përgjithshme e refugjatëve shqiptarë ashtë kthimi në Greqi sa ma shpejt, por me garanci të jetës nga Aleatet….Tani, ata jetojnë në kondita shumë të vështira. Edhe në veri të Vlorës ata banojnë pa strehë mbi kokë, në qiellin e hapun…Aty, ata rrezikohen të vdesin nga uria” (ff.357-358)

Më 23 prill 1945, problemi çam arriti në tryezën e MPJ britanik, A.Eden, dërgue nga R.A Leper I ML britanik në Athinë. Në mes tjerash thuhet:

“…Ajo që ashtë e sigurtë, ashtë se çamët, ashtu si çdo pakicë tjetër në Greqi, qoftë Pomakët, Jahudijte spanjollë, Vllehët, Maltezët, Armenët, dhe nji përqindje e madhe e refugjatëve grekë të shpërngulun nga Anadolli nuk janë absorbue nga populli grek, ndoshta për arsye të nji antipatie instinktive për dallimet fetare, dhe prandej mbeten nji burim i përhershëm pakënaqësie”. (f.360)

Por, në raportin e bashkëngjitun, raportohet biseda e Kolonelit Palmer (ML në Shqipëri) ku ai ban dy sugjerime:

  1. Me shumë randësi ashtë me informue qeverinë shqiptare, preferohet me anë të ML britanik se jemi në dijeni të situatës së tanishme dhe do të shikojmë çfarë mund të bahet që çamët të lejohen me u kthye në Greqi. Në këtë moment, nuk ashtë e sigurtë jeta e tyne, por ma vonë, në nji datë specifike (unë sugjeroj tetor 1945) ata do të jenë në gjendje me u kthye në votrat e tyne pa frikë persekutimi. Nëse e bajmë këtë, duhet të informojmë edhe zyrën e ML britanik dhe Komandën e Naltë Ushtarakë për Epirin.

2. A do të ishte e mundun që UNRRA të angazhohet me dërgue disa ndihma vecanërisht për çamët në Shqipëri? Mund të dërgohen me kaike në Sarandë. Dorëzimi për ata që e meritojnë do të garantohet nga ML britanik në Shqipëri. Kjo do të lehtësonte shumë tensionin greko-shqiptar në këtë moment”. Firmue D.Ë.S.Hunt,( f.363)

Ashtë e vajtueshme që megjithë faktët e jetueme, e refugjatët në kampe komandanti grek Vassili Papayanis deklaronte:”…asnji incident i vajtueshëm nuk ka ngja në Thesproti në mes të datës 12 e 18 mars 1945; asnji ekzekutim nga 60-70 personave nuk ashtë ba, dhe asnji akt grabitje, përdhunimi ose tjetër akt kriminal ashtë krye kundër çamëve” (f. 365) Ndërkaq, propaganda greke kundrejt Shqipërisë egërsohet çdo ditë.

Të shqetesuem nga ky zhvillim i ngjarjeve, nji grup patriotësh shqiptarë nga Roma (Itali) më 19 korrik 1945, i drejtiohet KM britanik Ë.Churchill, me sigurimin se pakica greke në Shqipëri gëzon të gjitha të drejtat. (Firmue Dr.Xhemil Çela e 14 të tjerë) (f.367)

Me 3 korrik 1945, Këshilli Çam në Tiranë në nji Memorandum drejtue Konferencës së Paqes të Ministrave të Jashtën aleatë, London, mbasi përshkruen tragjedinë çame, kërkon në mes tjerash:

1.Dënimin e kriminelëve grekë fajtor për masakrat kundër çamëve

  1. Kthimin në vatrat e tyne të çamëve të debuem.
  2. Sigurime për çamët me të drejta të barabarta ashtu si i gjithë populli grek, dhe në të njëjtën mënyrë siç gëzon pakica greke në Shqipëri.” (f. 372)

Koloneli britanmik C.M.Ëoodhouse, i ML britanik në Greqi me datën 16 tetor 1945 përshkruen ngjarjet dhe masakrat me gjuhën e urrejtjes:

“…Zervas, i inkurajuem nga Misioni Aleat, nën kryesinë time, i përzuni ata (çamët) nga shtëpitë e tyne në 1944 me qëllim që të lehtësoheshin operacionet kundër anmikut. Shumica e çamëve shkoi në Shqipëri, ku edhe atje janë të padëshirueshëm. Dëbimi nga Greqia ka qenë i përgjakshëm, për arsye të frymës së hakmarrjes që ashtë ushqye nga shumë brutalitete të bame nga çamët, së bashku me italianët….Akti i Zervës u plotësue me nji masakër të pajustikueshme të çamëve në Filat, në mars 1945, i zbatuem nga meturinat e forcave të shpërndame të Zervës nën komandën e nji oficeri të quejtun Zotos…Çamët meritojnë atë që kanë pësue, por edhe bandat e Zervës kanë qenë shumë të këqija…Si rezultat kemi nji ndryshim të popullsisë që eliminoi nji pakicë të padëshirueshme nga toka greke. Ndoshta, do të ishte mire sikur punët të mbeten ashtu si janë.” (f.373)

Punët ashtu si janë…! Komiteti Antifashist për Refugjatët Çamë spjegon si janë punët:

“…Ma shumë se 20.000 persona të terrorizuem kanë ikë nga Çamëria dhe janë strehue në Shqipëri, të ndjekur nga barbarizmat e mercenarëve grekë (të Gjeneralit) Zervas. Ma shumë se 1.500 persona janë masakraue në distriktet e ndryshëm të Çamërisë. E gjithë pasuria e tyre është grabit. Fshatet shqiptare janë shkretuar dhe djegë krejtësisht. Çamëria pjellore është reduktuar në nji shkretirë, në një ferr…”(f.374) Dhe,

“…shumë familje janë asgjësuar, prind, fëmijë dhe foshnje në djep. gra e vajza të reja janë përdhunuar…Sanie Bollati, nga Paramithia, është djegë e gjallë me benzinë, mbasi që gjoksi i është prerë me thikë, e sytë i janë nxjerrë jashtë…”(f.381)

Komiteti Antifashist i Refugjatëve Çamë paraqet këto kërkesa:

  1. Ndalimin e menjihershëm të vendosjes së elementeve të huej në shtëpitë tona.
  2. Të gjithë çamët duhet të kthehen në vatrat e tyne.
  3. Të gjithë pronat e konfiskueme duhet të kthehen, dhe të gjithë damët e shkaktueme duhet të kompensohen.
  4. Ndihmë duhet dhanë për çamët që duen të rindërtojnë shtëpitë e tyne të prishuna.
  5. .Duhen marrë të gjitha masat përfituese të përcaktueme nga traktatet ndërkombëtare dhe mandatet, siç janë sigurimi i të drejtave civile, politike dhe kulturore, si dhe sigurimi i jetës së njeriut.
  6. Të gjithë forumet përgjegjës për krime të kryeme duhen gjykue dhe denue”

Firmue: Tako Sejko, Kasem Demi, Rexhep Çami, Tahir Demi, Vehip Demi, Derivish Dojaka,  Hilmi Seiti. (f. 387-394)

(Natura e krimeve të kryeme jepet me hollësi ne deklaratat e viktimave çame të gjenocidit grek, të përmbledhuna profesionalisht nga Kastriot Dervishi:”Masakrat në Çamëri: dëshmitë e të mbijetuarëve; Përmbledhje dokumentesh arkivore” (Tiranë: 55,2009, ff .143-154

***

Recensioni i këtij libri ashtë nji punë e dhimbshme. Ai të kujton historinë biblike të Jobit. Profeti që vuen kërkon nji spjegim nga Zoti që hesht, e që sprovon.

Në rastin e çamëve, “Zoti” nuk i sprovon. Ashtë shovinizmi grek, në formën e tij ma të egër, ma shnjerëzore, që “ndëshkon kolektivisht” nji popullsi të pafajshme. Më akuzën “bashkëpunim me okupatorin” – nji fenomen mjaft i zhvilluem në Greqinë e okupueme gjatë L2B sidomos, bashkëpunimi që nga Gjenerali Tcholakopoulos deri te “Bataljonet e Shenjta”, kryeministri Rallis dhe qeveritë kuislinge të Athinës deri në “çlirimin” e Greqisë- shovinistët grekë përfituen nga nji gjendje kaotike me asgjsue fizikisht pakicën shqiptare në Çamëri, kryesisht shqiptarët myslimanë, nji shfaqje e shëmtueme e diskriminmit kombëtar e fetar.

Tue fol për këtë fenomen të turpshëm të popullit grek, profesori anglez Noel Malcolm, shkruen:

”Fati i shqiptarëve çamë ashtë njeni nga sekretet ma të errëta të historisë moderne europiane. Nji përmbledhje e randësishme e dokumenteve hjedh dritën shumë të nevojshme. Do të kishte nji vlerë të madhe, jo vetëm për historinë e Greqisë dhe të Ballkanit, por gjithashtu për cilindo që dëshiron me kuptue situatën e sotme të Çamërisë në Shqipëri.”

Duhet shpërnda mjegulla e propagandës shoviniste  që errëson të vërtetën mbi Çamërinë e viktimet çame. Profesor Elsie dhe studiuesi Destani meritojnë falenderimet e të gjithë shqiptarëve dhe të gjithë atyne që çmojnë randësinë e së vërtetës historike.

Ridgefield, Ct., USA                                                                                 Sami Repishti

Korrik, 2014