Shtohen rastet me kancer gjiri, propozimi i mjekes mund të jetë zgjidhje

Ekzaminimi i mamografisë ka zbuluar 29 raste të kancerit të gjirit vetëm në 8 muaj në qarkun e Elbasanit. Mësohet se janë kryer nga marsi e deri 656 mamografi dhe janë konstatuar 29 gra me tumor gjiri. Ndërkohë, vetëm gjatë muajit tetor, kur edhe është kryer numri më i madh i mamografive, 347 të tilla kanë zbuluar 8 raste me dyshime të forta për kancer gjiri.


Të dhënat jepen nga mjekët specialistë, të cilët kërkojnë që të ketë një sensibilizim më të madh për kontrollin, pasi nuk mjafton një muaj që gratë t’i drejtohen ekzaminimit. Luljeta Vanthi, mjeke onkologe, thotë se ka një rritje të rasteve krahasuar me një vit më parë dhe kjo vjen nga sensibilizimi i grave për t’u ekzaminuar. “Shkaqet janë nga shumë faktorë, por ajo çfarë do të sugjeroja unë është një ekografi e lëvizshme në zona rurale të thella pasi janë kryesisht këto gra që nuk zhvillojnë kontrolle periodike”. Mjekja Vanthi thotë se duket të ketë një depistim të popullatës, sidomos në zona rurale të shpërndara gjatë gjithë vitit, pasi kapja në kohë e kancerit të gjirit shpëton një grua, shpëton një jetë.