“Top Channel” shkarkon Sokol Ballën. Ja kush do të ulet në karrigen e tij

Gjiganti mediatik “Top Channel” po pëson ndryshime rrënjësore dita-ditës, e ndërsa rrjedhjet e gazetarëve ia kanë lënë stafetën edhe drejtuesve. Pak ditë më parë, ishte moderatori Adi Krasta, i cili në një intervistë u rrëfye në lidhje me largimin e tij nga ky televizion, të cilin e kishte shumë për zemër, por gjërat kanë marrë një tjetër rrjedhë.

Ky televizion ka shkarkuar nga detyra drejtorin e Informacionit, Sokol Balla. Lajmin në fjalë e ka përcjellë “Newsbomb.al”. Burimet konfirmojnë se në vend të tij është emëruar Endri Xhafo, i larguar 2 muaj më parë nga “ABC News”, për t’u bërë pjesë e “Top Channel”.

Xhafo do të mbajë detyrën e drejtorit të Informacionit, deri në një urdhër të dytë, që do pasohet me një mbledhje bordi.

Të njëjtat burime shtojnë se Ballës nuk i është kërkuar që të lëvizë nga emisioni “Top Story”, por mbetet për t’u zbuluar vendimi që do marrë ish-drejtori, tashmë për emisionin e tij.

Të shumta kanë qenë largimet nga “Top Channel” të figurave të rëndësishme të gazetarisë dhe moderimit, që i dhanë fuqi ekranit të Top-Medias.

Pas largimeve masive, mes emrave si Adi Krasta, Marina Vjollca, Jonida Shehu e korrespodentit nga Beogradi, Idro Seferi, ndryshimet po kthehen në një normalitet në këtë televizion.