Tranzicioni/ Rrëfehet psikiatrja: Ja traumat që përndjekin edhe sot shqiptarët!

Arjana Rreli është mjeke psikiatre në Qendrën Kombëtare të Shëndetit Mendor nr.3 në Tiranë.

Në një intervistë ekskluzive për Konica.al, Rreli flet për historinë traumatike të tranzicionit, e cila ka lënë shenja edhe sot në shëndetin mendor të shqiptarëve.

Për më shumë, ju ftojmë të lexoni intervistën e mëposhtme e cila do ju njohë me informacione që ndoshta nuk i keni ditur deri më tani.

A besoni se historia traumatike e tranzicionit është e shprehur aktualisht në shëndetin mendor të shqiptarëve?

Shoqëria shqiptare përveçse në tranzicion kohor të stërzgjatur, është duke kaluar edhe trauma të njëpasnjëshme, të cilat kanë nisur më herët dhe kanë prekur disa breza.

Pikëpyetjet që nisin nga ekzistenca e deri tek pritshmëritë, e kanë ekspozuar shoqërinë tonë ndaj një stresi kronik, me të gjitha pasojat e tij.

Mjafton të kujtojmë vitin 1991, firmat piramidale dhe 97-ën, shpërthimin e Gërdecit, manifestimet me viktima, lëvizjen e pakontrolluar të popullatës, presionin dhe shumë e shumë të tjera që ngacmojnë si agjentë të padukshëm integritetin tonë psiko-emocional.

Jemi pjesë e një shoqërie, që vuan çrregullimin e stresit post-traumatik kompleks. Ky çrregullim, si të gjitha problemet e shëndetit, ka impaktin e tij në sëmundshmërinë e shqiptarëve, me të gjitha format e shfaqjes së tij.

Si manifestohet?

Traumat e përsëritura për muaj dhe vite shkaktojnë tek individi vështirësi të kontrollit emocional, që shprehet me mërzitje, mendime pesimiste, deri në vetëvrasje, zemërim të fshehur ose shpërthime të agresivitetit, ndaj vetes ose të tjerëve.

Vështirësi të vetëperceptimit, si për shembull ndjenjë faji, turpi, paragjykimi.

Çrregullime të përqëndrimit, vëmendjes dhe memories, të pasuara këto me ankth dhe panik.

Shenja fizike si dhimbja kronike e kokës, shqetësimet e stomakut, dhimbja e gjoksit, çrregullimet e oreksit dhe gjumit, problemet kardiovaskulare, abuzimi me alkool, etj.

Cilat janë shqetësimet kryesore që lidhen me traumën?

Duke iu referuar fenomenit shkak-pasojë, nuk e kemi të vështirë të interpretojmë, sjelljet e shoqërisë sonë.

Nuk është rastësi që rastet me çrregullime të ankthit janë në rritje, as që konfliktet banale degjenerojnë në vrasje, dhe shëndeti precipiton shumë shpejt, deri edhe në vdekje të papritura.

Si mund t’i kuptojmë/ dallojmë? Kur duhet të kërkohet ndihma e mjekut? 

Ndihma e mjekut, duhet të kërkohet, që në ndryshimet e para të shëndetit, cilatdo lloj qofshin ato. Paraqitja e ankesave, mbledhja e kujdesshme e informacionit, hulumtimi me anë të ekzaminimeve, dhe përfundimet e nxjerra nga mjeku i familjes, bën që të merret ndihma në kohën dhe mënyrën e duhur.

Rasti mund të mjekohet nga vetë ky mjek, ose të referohet prej tij në specialistët përkatës.

Mjeku psikiatër, është ‘stacioni’ i fundit dhe i vetmi specialist që vendos diagnozën e një çrregullimi kompleks të stresit pas traumës.

A e prek trauma funksionimin fizik të individit përveç atij psikologjjk? Po atë social?

Ndihma që ofrohet, kërkon angazhimin e të gjithë anëtarëve të një ekipi multidisiplinar që punon me shëndetin mendor.

Infermieri jep ndihmën primare, asistencën dhe këshillimin, punonjësi social bën zbulimin e problemeve.

Puna në grup dhe bashkërendimi i veprimeve sipas nevojave të pacientit, me ankesat e traumës, çon patjetër në zbutjen e simptomave, dhe parandalimin e sëmundjeve madhore të shëndetit mendor.

Ndërkohë, psikoterapia relaksuese dhe ajo konjiktivo-behajvionale me psikologun, ndihmon pacientin të kuptojë vetveten dhe të përforcojë aftësitë e tij për përballjen e situatës aktuale dhe atyre pasardhëse.

Ndërhyrja e mjekut kërkohet kur ka përfshirje të shqetësimeve fizike dhe mendore të cilat kërkojnë ekzaminime dhe trajtime biologjike.

Ndikimi që kanë traumat tek personi janë psikologjike, fizike dhe sociale.

Paaftësia e personit, për të përdorur normalisht kapacitetet e tij, ndikon në cilësinë e jetës, përshtatjen, funksionimin dhe marrëdhëniet e tij ndërpersonale.

Kjo gjë sjell kosto morale, por edhe materiale për shoqërinë duke e bërë këtë çrregullim edhe probem social.

Theksojmë gjithashtu se shpesh familjarët nuk gjejnë arsyetim për vuajtjen e pacientit, kërkojnë të suportojnë duke e inkurajuar, ndërkohë që pacienti ndjehet i pakuptuar prej tyre. Kjo gjë e bën atë të mbyllet më tepër në vetvete ose të jetë lehtësisht i irritueshëm duke e çuar shpejt në nervozitet dhe shpërthime të cilat përsëri familjarëve i duken pa sens.