VV e quan politik vendimin për rinumërim të votave në Prishtinë dhe Prizren

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Prishtinës, Shpend Ahmeti, e ka quajtur vendim politik atë të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) për t’u bërë rinumërim në dy komunat ku ka fituar ky subjekt, Prishtinë dhe Prizren.

“Të dielën ka folur sovrani, kanë folur qytetarët. Me këto vendime politike po mundohen që këto vendime të qytetarëve t’i shtrembërojnë”, ka thënë Ahmeti në një konferencë për medie së bashku me kryetarin e Vetëvendosje, Visar Ymerin dhe kandidatin për kryetar të Prizrenit, Mytaher Haskuka.

Ahmeti ka theksuar se është rasti i parë në historinë politike dhe institucionale që të merret për bazë një ankesë bazuar në rezultatin e ngushtë, pa e ditur se cili është ai rezultat, për shkak se nuk ka përfunduar numërimi.

Ai ka theksuar se nuk ka asnjë dëshmi dhe ankesë në mënyrë që të merret vendimi për numërimin të votave në Prishtinë dhe Prizren.

“Për neve ky vendim për Prishtinën është i papranueshëm. Kërkojmë menjëherë nga KQZ-ja që ta vazhdojë numërimin e votave me kusht dhe votave me postë”, ka thënë ai.

Sipas tij, vetëm nëse pas numërimit ka ankesa, atëherë çështja mund të vlerësohet nga organet kompetente. Ahmeti ka theksuar se rinumërim votave është duke e kërkuar “Klani Pronto” dhe Sami Hamiti i LDK-së