Agjenti “kërcënon”: T’i bëjnë mirë hesapet me Hysajn

Agjenti i futbollistit të Kombëtares shqiptare, Elseid Hysaj, ka “kërcënuar” të gjithë ata që kritikojnë lojën e mbrojtësit të djathtë të Napolit (mbrëmë luajti majtas ndaj Feyenoord në Champions). Menaxheri Mario Giufredi mendon se është e kotë që të flitet për krizë në këtë moment dhe të kritikohet kaq shumë skuadra pas vetëm dy ndeshjesh të luajtura nën nivel, gjë që u ndodh të gjithëve në një moment të caktuar të sezonit.

“Futbollistët që menaxhoj janë të qetë, e dinë që është një moment i vështirë dhe se me punën që bëjnë do të dalin nga kjo situatë. Merkato? Të dy (Hysaj dhe Ruin) kanë 5 vite kontratë, janë mirë te Napoli dhe, nëse do të vijnë mbrojtës të tjerë krahu, do të duhet të bëjnë hesapet me Hysajn dhe Rui. Të dy janë të lumtur për konkurrencën, pasi vetëm kështu rritet cilësia e grupit të lojtarëve te Napoli”, -deklaroi Giufredi për mediet italiane.