Arbëreshët e “Peppa Marriti Band”: Rritemi, duke krijuar të ardhmen mbi rrënjët tona (Foto/Video)

Pothuajse pak të njohur në arenën shqiptare, por tejet të suksesshëm në komunat arbëreshe në Itali, e ngaherë të buzëqeshur në videoklipe e me flamujt shqiptar në çdo koncert të tyre, grupi arbëresh Peppa Marriti Band ishte drejtpërdrejt për Konica.al, datën e 28 nëntorit 2017 (Shih videon).

Ata kanë arritur ta mbartin me sukses muzikën, tingujt shqiptarë, por edhe gjuhën arbëreshe prej më se 5 shekujve ekzistencë, në dhe të huaj. Pak javë më parë ata publikuan një këngë arbëreshe, e transmetuar edhe kjo në faqen e Konicës, “25 gërshetat”.

Në një intervistë të publikuar së fundmi nga faqja JOQ thuhet se, “me pozitivitetin dhe humorin që i karakterizon, ata iu përgjigjën disa pyetjeve nga JOQ, duke na bërë të rikujtohemi për t’i ruajtur me fanatizëm vlerat gjuhësore dhe kulturore shqiptare”.

Nga intervista e realizuar nga A. Shehaj, pjesëtarët e këtij grupi thonë se, grupi ka publikuar veçse tre albume në 25 vite, ndërsa citojnë se, “periudha që po përjetojmë është tejet e trishtuar, pasi të rinjtë flasin pak për gjuhën arbëreshe dhe ne synojmë ta risjellim në vëmendje”, vijojnë pjesëtarët e këtij grupi arbëresh, që notat e tyre muzikore i përngjajnë rock-ut klasik amerikan të Bruce Springsteen, Tom Petty apo Eric Clapton, por me një ndryshim…që të gjitha këngët janë të kënduara në gjuhën arbëreshe.

Sipas tyre, ata e marrin muzikën e vjetër arbëreshe, e përpunojnë, e në tekste përfshijnë gjithë problemet e jetës së përditshme. “Kur këndojmë në koncerte, njerëzit na shohin me habi se çfarë po këndojmë, por pastaj qëndrojnë deri në fund dhe ngaherë marrim komplimente”. Më pas ata kanë treguar rastin e një familjeje, e cila u emocionua nga muzika e grupit, duke filluar të lexonte dhe mësonte shqip. “Qëllimi ynë është të nxisim kureshtjen”.

Për ardhjen e tyre në Shqipëri, si grup është hera e dytë, ndërsa një prej pjesëtarëve të Peppa Marriti Band, Antonio, e ka për herën e dytë. “Ai ka ardhur në vitet ’80, kur në Shqipëri ishte ende diktaturë. Kemi qenë për herë të parë në Pezë, pesë vite më parë, ku jemi kënaqur shumë. Njëherazi kemi qenë edhe në mes të shqiptarëve të Maqedonisë, e të themi të drejtën, jemi ndjerë si në shtëpinë tonë”.

E në fund, të pyetur për mesazhin, që po i përcjellin shqiptarëve ata thonë: “Ka një paralelizëm midis historisë së Shqipërisë dhe asaj të grupit. Ashtu si Shqipëria, që po ndryshon dhe rritet, jo duke u kthyer në të shkuarën por duke mësuar nga e shkuara, edhe ne po bëjmë të njëjtën gjë… duke krijuar të ardhmen, e duke u bazuar në rrënjët tona”.

Bio

Peppa Marriti Band është krijuar që në vitin 1991, ndërsa origjina e krijimit dhe vetë emrit të tyre ka ardhur nga Sofia d’Epiro, në provincën e Kozencës, – aty ku ndodhen edhe shumë banorë me origjinë shqiptare.

Dikur, aty banonte një marangoz, i cili thirrej Peppa Marriti, ndonëse emri i tij i vërtetë ishte Diacono Atanasi. Por ekzagjerimi me alkoolin, bëri që komuniteti t’i vinte nofkën: Peppa Marriti. Për fat të keq, alkooli i mori jetën në moshën 56-vjeçare, ndërsa grupi mori nofkën e tij, si shenjë e simbolizmit për gjithë ata njerëz të margjinalizuar nga shoqëria, – duke i dhënë një zë atyre që kanë probleme dhe bien, e nuk arrijnë dot të ngrenë kurrë, krye.

Muzika e tyre është Rock, ndërsa në kitarë akustike luan Angelo Conte, kitarë elektrike Antonio Castrovillari, në violinë Pino Murano, në bass Demetrio Corino dhe Francesco Greco në bateri.