Bushati: Shqipëria gati për hapin e madh në vitin 2018

Nga Ditmir Bushati

Ndërsa i afrohemi presidencës bullgare të BE-së e cila nis vitin që vjen dhe bëjmë bilancin e ndërveprimit të rritur midis vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe BE-së gjatë dy viteve të fundit, është e qartë se ky do të jetë një vit vendimtar për shpresat e Ballkanit Perëndimor për anëtarësim.

Më 2017, Shqipëria ka përshpejtuar ndjeshëm ecurinë e saj. Kuvendi i Shaiperisë miratoi unanimisht një reformë të pashembullt të sistemit të drejtësisë, e cili ndryshoi rrënjësisht Kushtetuten tonë duke krijuar një procedurë të re për rivlerësimin tërësor të gjyqësorit.

Pavarësisht pengesave dhe rezistences se shfaqur, zbatimi i reformes ne gjyqesor ka filluar duke krijuar komisioneve te vetting-ut, me ndihmën dhe mbështetjen e BE-së dhe SHBA-ve.

Unë besoj se ajo që kemi arritur deri më tani përbën një bazë të shëndoshë për punën e mëtejshme në kuadër të negociatave për anëtarësim lidhur me kapitujt 23 dhe 24 me Bashkimin Evropian. Jemi gati të përparojmë në rrugën e integrimit të Shqipërisë në BE. Reforma e gjyqësorit do të ketë gjithashtu një ndikim të drejtpërdrejtë në arritjet tona në fusha të tjera, siç është lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Reforma të tilla të thella shpesh hasin rezistencë dhe mosbesim.

Pavarësisht gjithçkaje, ne e dijmë që nuk ka alternativë tjetër. Shqipëria ka treguar vazhdimisht qartësi dhe qëndrueshmëri strategjike në orientimin e saj Euro-Atlantik. Humbja e qasjes strategjike do të ishte një gabim fatal dhe kurrsesi nuk mund te konsiderohet opsion.

Strategjia Globale e BE-së, e botuar një vit më parë, e konsideron besueshmerine e procesit te zgjerimit si një investim strategjik per sigurinë dhe prosperitetin e Evropës. Nje gje e tille ka kontribuar deri më tani per paqen, stabilitetin dhe progresin në Ballkanin Perëndimor.

Nuk është idealizmi që i bën shqiptarët entuziastë për BE-në, por realizmi. Njohja e interesave të përbashkëta, perspektiva e prosperitetit të qëndrueshëm, paqes, sigurisë dhe qeverisjes së mirë.

Bashkëpunimi më i ngushtë mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor përbën garanci për sigurinë dhe paqen në këtë kënd të Evropës.

Ne dëshirojmë që BE të njohë potencialin tonë si një partner, duke hapur negociatat e anëtarësimit gjatë pranverës së vitit 2018.

Ne jemi të vetëdijshëm se hapja e negociatave është vetëm fillimi i një procesi të gjatë dhe sfidues të të mësuarit. Ne e dimë shumë mirë se do të duhet kohë. Dhe duam ta përdorim këtë kohë për ta transformuar në të gjitha drejtimet vendin tonë dhe për t’i sjellë qytetarët tanë më pranë Evropës.

Nuk do të jetë e lehtë të bindim të rinjtë tanë për përfitimet e integrimit në BE. Pasi realisht do të duhen më shumë se pesë dekada për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor të arrijnë standardin e jetesës së Evropës Perëndimore. Kësisoj është i kuptueshëm padurimi i rinisë tonë.

Por lajme të mira po vijnë nga Brukseli dhe nga vetë rajoni, të cilat na bëjnë optimistë. Gjatë katër viteve të fundit, të nxitur nga energjitë e investuara në procesin e Berlinit, të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor kanë punuar për të eleminuar pengesat ndaj tregtisë së lirë, duke nxitur ekonomitë ndërkufitare. Në korrik të këtij viti, ne ramë dakord në Trieste për të krijuar një Zonë Ekonomike Rajonale. Presim që kjo të nxisë më tej zhvillimin e tregtisë, të çlirojë energjitë e ndrydhura dhe të rrisë përfitimet për ekonomitë tona.

Mirëpresim faktin që zgjerimi i Ballkanit Perëndimor është një prioritet kyç i Presidencës Bullgare dhe besojmë se 6 muajt e ardhshëm do të jenë me rëndësi vendimtare për ne. Komisioni Evropian do të paraqesë Strategjinë e Zgjerimit në shkurt të 2018. Presim një dokument me vizion të qartë dhe që Ballkani Perëndimor dhe veçanërisht Shqipëria, të jenë pjesë e këtij vizioni. Gjithashtu shpresojmë të marrim një rekomandim të pakushtëzuar për hapjen e negociatave në raportin e Komisionit Evropian në prill, dhe që Këshilli Evropian të marrë një vendim për të hapur negociatat. Mosarritja e këtij objektivi do të ishte një mundësi e humbur.

Disa muaj më parë, Presidenti Junker, në fjalimin e tij vjetor mbi “gjendjen e Bashkimit Evropian”, deklaroi se është e domosdodhme një perspektivë e besueshme e zgjerimit për Ballkanin Perëndimor me qëllim që të sigurojë më shumë stabilitet në këtë zonë. Presidenti Francez Macron i bëri jehonë të njëjtës pikëpamje. Ne e mirëpresim këtë qasje pasi jemi të bindur pasi besojme se rigjallerimi i procesit të zgjerimit është katalizator për zhvillim.

E në të njëjtën kohë, kundërvënie e fuqishme ndaj narrativës së shpërbërjes, e nxitur nga idetë populiste dhe propaganda e palëve të treta në shtete anti-evropiane.

Kemi qenë gjithmonë të mendimit se secili vend duhet të përparojë me shpejtësinë e vet në rrugën e tij drejt anëtarësimit në BE, në përputhje me kapacitetin e vet, ritmin e reformave dhe qëndrueshmërinë në përmbushjen e angazhimeve.

Prandaj, u bëj thirrje partnerëve tanë evropianë të shohin progresin që ka bërë Shqipëria dhe të na japin një perspektivë të qartë dhe një udhërrëfyes drejt pranimit në BE.