Champions mbyll grupet, Napoli jashtë, Tottenham më i miri (Video)

Ashtu si një natë më parë, nuk ka pasur surpriza sa u përket ekipeve që priteshin të kualifikoheshin. Napoli është skuadra që eliminohet dhe kështu Elseid Hysaj do ta shohim të garojë në Europa League. Tottenham është më i miri i të gjitha grupeve, ndërsa Cristiano Ronaldo thyen një rekord të ri me golat e tij.

GRUPI E – Liverpool nuk ka rrezikuar aspak ndaj moskovitëve të Spartak, duke e shpartalluar me rezultatin e thellë 7-0. Coutinho shënoi që në minutën e katërt me penallti, ndërsa më 15’ braziliani dyfishoi rezultatin. Firmino i jep një tjetër goditje skuadrës ruse me golin e tretë në 19’. Kaq për pjesën e parë. Ndërsa me të filluar e dyta Mane dhe sërish Coutinho thellojnë në 5-0. Më pas Mane shënon përsëri dhe vulos Salah në 7-0. Liverpool siguron vendin e parë në grup, Spartak Moskë shkon në Europa League.

Në Slloveni, ka surprizuar Maribori. Vendasit kanë shënuar në minutën e 10-të me anë të Tavares dhe kanë siguruar barazimin e tretë në grup. Tri pikë për sllovenët, por që nuk shmangin gjithsesi vendin e fundit në grup. Sevilla arriti të barazonte në 1-1 në 75’ me anë të Ganso. Pavarësisht barazimit, kualifikohet si vendi i dytë.

GRUPI F – Shakhtar Donetsk ka mposhtur Manchester City me rezultatin 2-1. Anglezët, që kishin 5 fitore në grup, kanë menduar më shumë për derbin në Premier League sesa për ndeshjen në Ukrainë. Bernard në 26’ dhe Ismaily në 32’ i kanë dhënë kualifikimin Shakhtar si vendi i dytë në grup, ndërsa City nuk lëviz nga kreu, pavarësisht humbjes. Golin e vetëm për anglezët e shënoi Aguero me penallti.

Napoli e nisi mirë ndeshjen në Holandë ndaj Feyenoord, teksa në minutën e dytë Zielinski kaloi në avantazh të kaltrit. Por skuadra italiane, siç duket, të demoralizuar nga rezultati i ndeshjes tjetër në Ukrainë, uli ritmin dhe për pasojë vendasit barazojnë në minutën e 33-të me anë të Jorgensen. Sikur të mos mjaftonte kjo, holandezët shënojnë edhe të dytin në 91’ me Juste, duke përmbysur në 2-1, edhe pse ishin me 10 futbollistë. Napoli detyrohet të vazhdojë garën në Europa League.

GRUPI G – Portos i duhej fitorja në shtëpi përballë Monaco të vendit të fundit e të pashpresë dhe portugezët e kanë zgjidhur shpejt ndeshjen dhe kualifikimin për më tej si forcë e dytë e në grup. Porto ka fituar 5-2. Aboubakar ka shënuar dy golat e parë, ndërsa Brahimi në 45’ mbyll sfidën thuajse që në pjesën e parë. Telles në 66’ shënon golin e katërt dhe Soares në 88’ të pestin, ndërsa Glik dhe Falcao për miqtë shënuan golat e nderit.

Besiktas ka vazhduar të surprizojë. Negredo në minutën e 10-të ka shënuar në Leipzig, edhe pse turqit ishin kualifikuar. Një sezon fantastik për kampionët e Turqisë, që e mbyllin grupin pa humbje dhe në krye, duke pritur të qetë shortin. Leipzig e mbylli ndeshjen me 10 lojtarë dhe në fund të paktën gjeti golin e barazimit me Keita. U mendua se do të mbyllet 1-1, por turqit shënojnë sërish me Talisca në limit dhe fitojnë 2-1. Gjermanët do të luajnë në Europa League.

GRUPI H – Real Madrid ka vijuar ecurinë e mirë në Champions, teksa edhe njëherë tjetër nuk e ka falur Dortmund, duke fituar 3-2. Mayoral në 8’ shënoi golin e parë, ndërsa pas katër minutash Ronaldo shënon një gol fantastik, duke thyer edhe një rekord, teksa bëhet futbollisti i parë që shënon në 6 ndeshjet në grupe. Gjithsesi, Dortmund arriti të barazonte ndeshjen me 2 gola të Aubameyang, në 43’ dhe 49’, por Lukas në 81’ i jep fitoren ekipit. Real Madrid kualifikohet si forcë e dytë e grupit.

Tottenham është skuadra që ka grumbulluar më shumë pikë në fazën në grupe, plot 16 pikë, duke fituar të fundit 3-0 kundër APOEL. Pesë fitore dhe një barazim, si asnjë skuadër tjetër, për më tepër kur në grup kishte Real Madrid dhe Dortmund.