DW: Pacolli, për eksodin masiv të kosovarëve, votimin e demarkacionit dhe njohjen e Kosovës nga Serbia (Video)

Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Jashtëm i Kosovës z. Behgjet Pacolli, ka dhënë një Intervistë ekskluzive për  “Deutsche Welle” në prani të kolegëve gazetarë, Zorica Iliç dhe Bahri Cani, për redaksinë e Bosnjë-Hercegovinës, Serbisë dhe Kroacisë. Pacolli, ka folur për eksodin e kosovarëve, raportet me Rusinë, demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, si dhe njohjen e Kosovës nga Serbia…

“Është interesante të kesh një funksion në një shtet, që kërkon të anëtarësohet në organizatat ndërkombëtare”, ka thënë z. Pacolli, në fillim të kësaj interviste.

Në pyetjen e gazetares Zorica Iliç, lidhur me një eksod masiv të kosovarëve, ndërsa kolegia jonë i është referuar Bankës Botërore, ku thuhet se, “Kosova ka 42% papunësi, ndërsa vetëm në tre vitet e fundit janë larguar mbi 200.00 persona”, z. Pacolli është përgjigjur se: “Unë nuk mendoj krejt ashtu…”, – ndërsa ka vijuar duke thënë se: “Këto janë të dhënat e Bankës Botërore, por Kosova është një nga vendet më dinamike, me rini të mrekullueshme, e të zgjuar që nuk fle kurrë”.

Lidhur me papunësinë në Kosovë, z. Pacolli ka shtuar se, “ndoshta është 42%, por ‘de facto’, papunësia është diku tek 25%”. Sipas Pacollit, edhe kjo është e lartë, “ndaj edhe ne jemi të përqendruar tek zhvillimi ekonomik, si dhe rritja e të ardhurave për individët”.

Ndërsa gazetari Bahri Cani, e ka pyetur në lidhje me largimin e z. Behgjet Pacolli, duke u kthyer pas në kohë në vitin 1970, kur ai, si i ri asokohe, vendosi të largohej nga Kosova, pa vizë. “Kur do të udhëtojnë të rinjtë e Kosovës jashtë vendit, pa viza?”.

“Kosova, po trajtohet si ‘vrima e zezë’, ku edhe është mbyllur rinia jonë dhe nuk mund të udhëtojë e lirë. Kjo nuk duhet të ndodhë, pasi Kosova e meriton Evropën…Ky është dështim i Evropës”, – ndërsa ka shtuar se po bashkëpunojmë me institucionet e Brukselit, për të ndërtuar të ardhmen tonë, – ka shtuar ndër të tjerash, z. Pacolli, në përgjigje të pyetjes së gazetarit, Bahri Cani.

Më tej, Cani është ndaluar, duke i rikujtuar z. Pacolli se, kushtet e vendosura për këtë gjë janë: “Demarkacioni i kufirit me Malin e Zi dhe dënimin e personave të korruptuar”, ndërsa Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm i Kosovës, z. Pacolli është shprehur se “…është e vërtetë që këto janë dy pika, nga 35 kushtet e vendosura…dhe demarkacioni është një kusht i ri”, ku Pacolli është shprehur më tej se, nuk ka qenë dakord me paraqitjen e këtij kushti të ri.

Sipas tij, “Ne së shpejti kemi gati dokumentin dhe do ta dërgojmë në Parlament, për ratifikim”. “Unë jam në kontakt me LDK-në, liderin e opozitës, z. Isa Mustafa dhe më ka premtuar se do ta votojë demarkacionin”.

Ndiqni më tej këtë video-lajm, dhënë për Deutsche Welle…