Dy arsye pse Skënderbeu kërkon fitoren sot në Europë

Gjithnjë në një ndeshje një ekip futet në fushë për ta fituar. Por kur motivimi lidhet edhe me disa faktorë të tjerë, e shton dëshirën për të marrë rezultat pozitiv, pavarësisht koeficientit të vështirësisë së ndeshjes dhe vendit ku luhet. E tillë është edhe ndeshja e sotme e Skënderbeut në Europa League kundër Young Boys, që luhet në Bernë të Zvicrës, në orën 19:00.

Është ndeshja e fundit në grupe dhe korçarët duan t’i bëjnë një mbyllje sa më të mirë. Por janë dy arsye kryesore pse Skënderbeu kërkon rezultat pozitiv. E para, nëse Skënderbeu barazon apo fiton, do të zinte vendin e tretë në grup dhe do të shkonte në 6 ose 8 pikë, çka përkon me arritjen më të madhe të një klubi shqiptar. Dhe kjo do të rriste koeficientin për sezonin e ardhshëm dhe do të përmisrësonte renditjen në UEFA, çka bën që në shortin e vitit të ardhshëm të ishte i favorizuar.

E dyta, vlen shumë arsye financiare. Një tjetër fitore do të shtonte në arkën e klubit edhe 360 mijë euro, që për një klub shqiptar janë financa të konsiderueshme. Por edhe barazimi vlen jo pak. Një rezultat pozitiv, shoqëruar me disa lojtarë të rinj në fushë, bën që korçarët të hyjnë në “pazar” me klubet për talentët e tij. Një arsye të fortë ka edhe Orges Shehi, që ndoshta për do të jetë ndeshja e fundit në Europë dhe kërkon ta mbyllë me një rezultat pozitiv.

Gjithsesi, sot Skënderbeu do ta ketë të vështirë, pasi nigerianit James nuk iu dha viza nga Ambasada e Zvicrës, shto faktin se Sowe, Nespor dhe Dita janë të dëmtuar. I gjendur në këto kushte, trajneri Ilir Daja ka vlerësuar të gjitha mundësitë dhe duket se janë dy lojtarët më të mundshëm për të bërë sulmuesin e qendrës. E sigurt është se Skënderbeu do të luajë sot me një numër 9 fals, që mund të jetë Nimaga, Muzaka apo edhe Demte.

Ka më shumë mundësi për mesfushorin nga Mali, i cili e ka bërë sulmuesin e qendrës edhe në ndeshjen me Mlada Boleslav për një pjesë loje. Por edhe Muzaka është një variant tjetër, ashtu si etiopiani Demte, edhe pse nuk ka luajtur asnjëherë deri tani. Daja po përpiqet të bëjë modifikimin e formacionit, nëse nuk do të ketë ndonjë surprizë të minutës së fundit, që nigeriani të marrë sot vizën dhe të shkojë në Zvicër.