Erdogan në Greqi/ Siguria në maksimum, 3000 mijë policë dhe snajper për mbrojtjen e tij

Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan ka mbërritur në Athinë për një vizitë zyrtare.

Dy avionë F-16 shoqëruan presidentin gjatë udhëtimit të tij në Greqi, si dhe 2800 policë dhe 200 truprojat e tij garantojnë sigurinë e tij.

“Ne po marrim çdo masë të nevojshme,” tha për The Guardian, ministri i rendit publik grek, Nikos Toskas. “Siguria do të jetë e një niveli të ngjashëm me atë të vizitës së Barck Obamës, çdo detaj është planifikuar”.

Sipas agjendës, Erdogan, i ftuar nga homologu i tij grek Prokopis Pavlopoulos, të cilin do ta takojë rreth orës 12, do të vendosë një kurorë me lule në monumentin e “Ushtarit të panjohur” para Parlamentit grek.

Më pas, rreth orës 13:30 ai do të takohet me kryeministrin Tsipras, me të cilin do të mbajnë edhe një konferencë të përbashkët shtypi pak para orës 15.

“Kjo vizitë është një mundësi për të bërë hapa përpara në miqësinë midis dy vendeve”, ka deklaruar kryeministri Tsipras.

Qeveria greke synon në këtë vizitë të presidentit turk të mbajë të hapura urat e komunikimit me fqinjin e saj, duke marrë edhe një rol negociues midis Turqisë dhe BE-së, në një periudhë kur shumë qeveri europiane shprehen kundër integrimit të Ankarasë në BE.

Gjithashtu, Athina kërkon përveç zgjidhjes së çështjes qipriote, edhe një bashkëpunim të ngushtë për krizën e refugjatëve, si dhe për marrëdhëniet ekonomike.

Programi i presidentit turk përmban edhe takimin me udhëheqësin e opozitës, Mitsotakis, si dhe një darkë zyrtare mbrëmjen e së enjtes nga homologu i tij grek Pavlopoulos. Të premten, Erdogan viziton krahinën verilindore të Trakës, ku jeton pakica myslimane në Greqi.