Fetishi ynë: Albini

Skizma e madhe në Vetëvendosje, sado groteske e meskine, është e paprecedentë.

Derisa peisazhi politik që fqinjëron përreth nesh është i fytyrëzuar ideologjikisht deri në finesat e fundit (fjala bjen, në Greqi, Rumani, Kroaci e Serbi), Vetëvendosja e ka primatin që ngarkesat e brendshme ose luftën brenda llojit (çështje terminologjie kjo) po ei ngre në lartësinë e teorizimeve goxha të stërholluara në një diskurs të nuancuar neomarksist.

Natyrisht se këtu nuk bëjnë pjesë lumpen-partizanët e rrjeteve sociale që mbështesin njërin krah ose tjetrin në Vetëvendosje.

Ndarja brenda Vetëvendosjes nuk filloi me fyerjen që deputetja Aida Dërguti (përndryshe një nga themelueset e kësaj lëvizje) i këputi kolegut të saj bashkëpartiak Albin Kurti, të cilin në një bashkëbisedim të personalizuar në Viber e kishte quajtur ‘m**’.

Ndarja latente është e kahershme, rezultat i një mbishtresëzimi të grupeve të përkundërta të interesit.

Sado që gjuha e përdorur në këtë rast është e ndragur me një objektifikim derogator, pushteti i gjuhës zbuloi ‘vijat e kuqe’ brenda Vetëvendosjes, fetishizimin absurd të Albin Kurtit dhe përpjekjen donkishoteske për të mos sakrilegjuar me brerorën e tij prej mbinjeriu urban.

Megjithëse ka përpjekje që gjithçkaje t’i jepet shpjegimi simplicist për ndarje ideologjike apo puritanizëm mes të majtësh, apo edhe për një sedër të lënduar ‘pafajësisht’ si ajo e Albinit, çështja është diku tjetër: këtu kemi të bëjmë me një rravgim për të uniformuar lëvizjen nën diktatin e një inteligjenti të madh, por një njeriu të vogël.

Gjithë kjo frenezi e brendshme për të ekskomunikuar ‘puçistët’ anti-albinistë ngjan sikur është një lexim bythëprapë i filozofit Alain Badiou dhe përvijim tragjik i shokut Mao Ce Dun.

Ky i fundit, me kinezllëqet e tij psikomatike, e tejradikalizonte fshatarësinë e gjerë kundër asaj që e pandehte si burokratizim i kupolës së partisë.

Ngjashëm është edhe përpjekja e ‘albinistëve’ në Vetëvendosje: në mënyrë postemocionale ndërkyhen aktivistët e thjeshtë dhe i objektifikojnë ‘puçistët’, aq sa krijohet përshtypja sikur kemi të bëjmë me një frenezi alla-erdogan.

Se Vetëvendosja në gjeologjinë e saj është një mishmash idesh, interesash e synimesh të përkundërta, kjo dihet. Por për syrin e pastërvitur është zor të pikaset fakti se ka qenë pikërisht Albini ai qe e ka atomizuar lëvizjen, duke e ndërsyer njërin grupim kundër tjetrit.

P.sh, rryma enveriste nxitej prej Albinit kundër sendimenteve titiste në Vetëvendosje (ku ka plot djemë e nipa të ish-funksionarëve jugoshqipfolës), ose këta kundër enveristëve, militantët e vjetër kundër FER-istëve (partia prej nga erdhi Shpend Ahmeti) ose këta kundër militantëve të vjetër, nacionalistët kundër trefërtalshëve dhe trefërtalshët kundër nacionalistëve.

Për aq sa shkojnë informacionet e mia, skizma e parë brenda Vetëvendosjes ngjau pas zgjedhjeve të qershorit dhe suksesit të stuhishëm të këtij subjekti.

Aty pati një përfytje mes Albin Kurtit dhe Dardan Molliqajt, i cili kishte krijuar staturën e njeriut të dytë më të fortë në lëvizje, shëmbëlltyra e të cilit asocionte me policimin e brendshëm, përjashtimet e aktivistëve dhe mbajtjen në këmbë të një ortodoksie ideologjike.

Rrëzimi nga fiku i Molliqajt sikur përqaset me atë anekdotën e Milan Gjilasit kur mori pjesë në përurimin e një burgu diku në ish-Jugosllavi…dhe disa javë më vonë, ai do të bëhej banori i parë i qelive për ‘fajet’ e tij.

Lufta brenda llojit që është kreshpëruar brenda Vetëvendosjes po zbulon një perversion të ri në teatrin kosovar: përtej sedrave e egove që gjakojnë për pushtetizim personal është mbimitizimi i liderit dhe prodhimi serik i klonëve të vegjël, sipas po të njëjtës shëmbëlltyrë…

Dhe tragjedia e pluralizmit shqiptar në të dy anët e kufirit është një kohëzgjatje prej krijimit të një miti politik deri në demitizim (ose kur miti kthehet në m**, siç po thuhet me ironi në Prishtinë): Azem Hajdari, Sali Berisha, Ibrahim Rugova, Hashim Thaçi, Edi Rama, Albin Kurti…