Gëzuar, zëri i qytetarisë!

”Nuk mund të ketë atdhetari pa liri, liri pa virtyt, virtyt pa qytetari; Krijoni qytetarinë dhe keni çdo gjë që ju nevojitet; Pa atë ju keni asgjë, përveçse skllevër që nga sundimtari e deri poshtë. (-Jean-Jacques Rousseau)”.

Përbrenda nesh, aq sa po na shohin sytë tanë, mbretëron një errësirë. Si jetohet vetëm me errësirën? Përbrenda errësirë, përjashta nesh errësirë, në jetë errësirë, në fjalë errësirë? Lehtë e kemi, po duam që ashtu siç na ka lindur nëna, të jetojmë e të vdesim shqiptar, njeri! Të dalim nga vetvetja jonë e errësirës, të ecim, marshojmë, nxitojmë, sakrifikojmë, punojmë, guxojmë…Të ngremë kokën lart. T´i shtrëngojmë grushtet. Të hapim zemrën. Të mos harrojmë çdo mëngjes të pimë nga një gotë dashuri! Në mos për asgjë tjetër, të besojmë, dashuria na i hap portat e fatit, të besimit, të vullneteve, të shpresës.
“Kujt i pakësohet turpi, i është pakësuar ndërgjegja; kujt i pakësohet ndërgjegja, i vdes zemra”-thotë libri. Secili njeri e ka hijen e vet. Edhe një fije kashte e ka hijen e vet. Por halli tjetër na ka pllakosur neve: Hija e jonë, fjala dhe morali ynë, puna dhe synimi ynë, shpesh nuk shëmbëllen në veten tonë. Na vërtet po nxitojmë, po na ngutet diçka në jetë, po shihet, deri më sot kemi kaluar shumë shtigje, por mjerisht nuk nuk po e dimë cakun për ku jemi nisur. Dhe neve, o shpëtimtarë mëkatarë të kombit, shpesh na ka rënë të këndojmë nëpër terr, të ecim nëpër terr, të flasim nëpër terr, e besa edhe të punojmë do “punë” nëpër terr. O boll ma se u bëmë horr, duke kërkuar veten tonë, identitetin, dashurinë, pasurinë, kolltukun nëpër hijet e vetvetes sonë.
Mjerë na që s’po i përngjajmë hijes sonë!
Nuk mund të ketë atdhetari pa liri, liri pa virtyt, virtyt pa qytetari.
E fituam lirinë, por e fituam lirinë pa virtyt e në mungesë të virtytit mbetem pa qytetari.
Qytetaria është shkalla më e lartë e moralit, më e vlefshmja prej tyre dhe që më së shumti sjell dobi. Ajo është veçori që e dallon njeriun nga shtazët. Kush nuk ka qytetari, tek ai nuk gjendet ndonjë veçori e njeriut përveç mishit dhe gjakut, ngase ky njeri, vetëm me këtë pamje të jashtme të njerëzimit, është i humbur dhe i zhveshur nga koka e mirësive dhe e moralit.
Mendjemadhesia (lakmia) nuk ndjen kenaqësi në përvetësimin e diçkaje, por në përvetësimin më shumë të shumëdiçkaje në krahasim me një person tjetër. Ne themi që njerëzit janë mendjemëdhenj (lakmitarë) kur janë të pasur ose të zgjuar, ose të pashëm, por nuk është kështu. Lakmia është kënaqësia e të qenët mbi të gjithë të tjerët – pa marrë parasysh mjetet, mënyrën dhe rrugën… Kur gara mbaron, lakmia ulet gjithashtu. Por gara nuk mbaron kurrë!
Mospasja e lakmisë është argument për besnikëri, besnikëria është argument për falenderimin, falenderimi është argument për përmendjen e qytetarisë, përmendja e qytetarisë është argument për shtimin e mirësive.
“Fytyra e mbrojtur me krenari është sikurse margaritari i mbrojtur në guacën e vet”- më tha dikush, por ”A-huuu! Ditë s’je! Natë s’je! Diell s’je! As vetvetja jote s’je, o mëkatar” (R.Greicevci).

Grykësia nuk është kategori ekonomike, nuk është normë e kodit etik që përfaqëson një individ, grup apo krah politik. Ajo vjen e shfaqet nga njerëz injorantë e të pakulturë, pa vizion dhe pa virtytete qytetarie. Me çdo kusht pasurimi. Pa regulla, të pandalshëm, përfshi krimin! Ka shumë thënie për grykësinë edhe në dashuri, por edhe ajo sjell alienë.
Është lakmia- dëshira për të qenë më i pasur se një person tjetër, dhe edhe më shumë, dëshira për të qenë në pushtet. Sepse fuqi/pushtet është ajo që i pëlqen mendjemadhësisë: s’ka gjë tjetër që e bën njeriun të ndihet superior dhe dëshira për t’i levizur të tjerët si lodra. Sa më shumë lakmitar dhe grykës të jetë një person, aq më shumë e urren lakminë dhe grykësinë tek te tjerët.
Por llojllojshmëria është një pasuri natyrore falë së cilës ne ecim, ballafaqohemi, dallohemi, përmbarohemi dhe pastaj lind virtyti, lind qytetari, lind qytetaria.
Shpirtbardhësia është pasuri vetjake për të bërë mirë, për të ndarë të mirën me të tjerët, për dashurinë ndaj njerëzishmërisë. Njerëzit që bëjnë diçka të mirë për të tjerët quhen shpirtbardhë. Shpirtbardhësia është veti, është virtyt i njerëzve të ndryshëm, që nga padogogu Basedow, Nënë Tereza e deri te Bill Gatesi. ”Shpirtbardhësia e vë qenien e njeriut dhe veprimet e tij në qendër të të gjitha virtyteve qytetare.

Në një shoqëri shqiptare të molepsur nga individualizmi, shpirtbardhi apo shpirtbardhët i përgjigjen pyetjes se si funksionon kjo dëshirë për t´i ndihmuar të tjerët. Shpirtbardhësia shprehet me vlera dhe në kuptim më të gjerë përkufizohet si tendencë e vazhdueshme për të bërë mirë. ”Shpirtbardhësia është virtyt i shprehive të edukuara që burojnë nga dashuria për njeriun”, thonë librat e shenjtë. ”Nuk mund të ketë atdhetari pa liri, liri pa virtyt, virtyt pa qytetari; Krijoni qytetarinë dhe keni çdo gjë që ju nevojitet”.