“Habilajt”/ Procesi vazhdon. Vijojnë hetimet nga Prokuroria e Catanias për 15 persona të paidentifikuar

Janë mbyllur hetimet paraprake nga Prokuroria e Catanias, për të dyshuarit si pjesëtarë të bandës së Moisi Habilajt.

Ndërkohë katër persona, mes tyre i ashtunjohuri si financuesi i bandës, Nezar Seitaj, po procedohen të veçuar.

Mësohet se hetimet paraprake po vazhdojnë për persona të paidentifikuar. Por ç’do të thotë kjo? Shpjegimin e jep avokatja e njërit prej të arrestuarve.

Prokuroria e Catanias ka përfunduar të ashtuquajturat hetime paraprake për 15 të hetuar të grupit të drejtuar nga Moisi Habilaj dhe Antonino Riela. Por hetimet vazhdojnë për persona të tjerë, të paidentifikuar. Për këta 15 persona Prokuroria u ka vënë në dispozicion avokatëve të tyre dokumentacionin e plotë të hetimit. Çfarë do të thotë kjo?

Vinenza Pirracchio është avokate e të njëri prej të akuzuarve, Gianluca Passavantit.

“Me mbylljen e hetimeve paraprake nuk do të thotë që nuk mund të zhvillohen më hetime. Ky moment shërben për mbrojtjen, e cila mund të marrë në zotërim te gjitha aktet, të hetuarit mund të kërkojnë dhe që të merren në pyetje nga Prokurori dhe të japin deklarimet e tyre.

Me njohjen e akteve të hetimit të deritanishme, i jepet dhe mundësia për të zgjedhur strategjinë më të përshtatshme të mundshme. Ky vendim nënkupton vetëm këtë gjë. Nuk do të thotë që hetimet nuk vazhdojnë, sepse sigurisht që mund të vazhdojnë dhe nga elementet e mbledhura mund të hapen dhe pista të reja hetimi.

Në këtë moment, avokatëve dhe të dyshuarve i vihen në dispozicion të gjitha dokumentet dhe më pas shihet strategjia që do ndiqet. Mund të kërkohet ballafaqimi, ose mund të kërkohet dhe që të gjykohet me aktet si janë, pra pa dëgjuar dëshmitare në një proces publik dhe në këtë mënyrë i ulet 1/3 e dënimit”, tha Vincenza Pirracchio, avokate.

Sipas dokumentit të prokurorisë së Catanias, që Top Channel e disponon, 4 të dyshuar, Nezar Seiti, Armando Sulaj, Sabaudin Çelaj dhe Florian Habilaj po hetohen të veçuar nga kjo dosje.