Ish-ministri i Bujqësisë: Rezervuarët janë në prag shpërthimi, mund të shkaktohet tragjedi e vërtetë!

Ish-ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti, i ftuar në studion e emisionit “Të Paekspozuarit” në “News24”, tha se jemi përballë një rreziku mjaft të madh, pasi ka një sërë rezervuarësh që janë në prag shpërthimi. Po të ndodhte një gjë e tillë, do krijonin cuname të vërteta. Ai ka kërkuar që një komision të investigojë këtë gjëndje, pasi mund të shkaktohet tragjedi e vërtetë.

“Jemi përballë një rreziku shumë të madh dhe konkret. Një rezervuar në mënyrë ciklike, duhet zbrazur, duhet thelluar. Rezervuarët kanë kaluar në administrimin e bashkive. Një kryetar bashkie nuk e ka prioritet.

Shiko çfarë po ndodh, po çahen rezervuarët. Ka një sërë rezervuarësh që janë në prag shpërthimi, do krijojnë cuname të vërteta. Kërkohet komision që të investigojë këtë gjendje te rezervuaret. Mund të shkaktohet tragjedi e vërtetë. Rezervuarët nuk vadisin më, sepse nuk ka më bujqësi. Duhet urgjentisht një komision që të investigojë”, tha ish-ministri Panariti.

Ai u shpreh se gabimi i madh është që rezervuarët tani janë nën administrimin e bashkive, të cilat nuk i kanë prioritet.

“Ministria e Bujqësisë nuk i ka më nën mbikëqyrje këto, i kanë kaluar bashkive. Por bashkitë, janë të fokusuara në gjëra të tjera. Nuk e kanë mendjen çfarë ndodh 20-30 kilometra më tej. Këto basene, janë asete kombëtare, nuk mund të administrohen nga një bashki”, u shpreh ish-ministri Panariti.