ISHTI gjobit 13 biznese, shkak mungesa e projektit ose dokumentacionit

Inspektorati Shtetëror Teknik dhe Industrial gjobiti gjatë nëntorit 13 biznese për shkak të parregullsive të konstatuara gjatë kontrollit të ushtuar pranë tyre. Ky numër subjektesh të penalziuara ka ardhur në rënie nga muaji në muaj pas numrit të lartë të penalizimeve në verë. Në vlerë gjobat e vendosura kapin shifrën 3.5 milionë lekë.

Në listën e subjekteve të penalizuara gjenden fabrika të përpunimit të qumështit, karburante si dhe restorante. Përgjithësisht shkak i penalizmit është bërë mosplotësimi i normave dhe kushteve teknike për ushtrimin e aktivitetit, mungesa e dokumentacionit, mungesa e projektit teknologjik të instalimeve të pajisjeve nën presion, mosrespektim i rregulloreve të lidhura me to.

Orientimi i kontrolleve ka ndryshuar gjerësisht gjatë këtij viti ku fillimisht ishte përqendruar në pikat e karburantit ndërkohë që më vonë kjo u zhvendos sidomos tek pajisjet nën presion. Një ngjarje që vuri në fokus restorantet pas incidentit të ndodhur këtë verë në Velipojë ku subjekti nuk kishte të instaluar sipas kërkesave ligjore pajisjet nën presion.

Në fund të 2016 dhe fillim të 2017 pati edhe një vëmendje të gjerë për ndryshimet thelbësore ligjore lidhur me pajisjet nën presion duke mirëpërcaktuar procedurat e tregtimit, standardet që do respektohen nga pikat e tregimit me shumicë dhe pakicë si dhe penalizimet në rast se hasen mbushje informale ndaj konsumatorëve në pikat e karburanteve.

Të gjitha këto u bënë me dije në një fushatë të gjerë nga ana e ISHTI duke përqendruar më vonë edhe pjesën e kontrolleve në këtë aspekt për të edukuar bizneset mbi standardet e reja. (Burimi:Monitor)