Isuf Kalo i përgjigjet Liliana Hoxhës: Je paciente, të uroj shëndet mendor! Pyesni Sokolin për Nexhmijen

Mjeku personal i Enver Hoxhës, profesor Isuf Kalo, tha dje se nuk kërkon t’u përgjigjet akuzave të zonjës Hoxha, të cilën e cilëson paciente të tij. Në një komunikim telefonik, profesor Kalo, i cili ishte pranë Enver Hoxhës, që prej vitit 1973, vetëm sa i uron shëndet të plotë zonjës Hoxha.

Në intervistën e saj për gazetën “Panorama”, Liliana Hoxha e akuzonte profesor Kalon se bashkë me Nexhmije Hoxhën dhe Ramiz Alinë kanë punuar për vdekjen e Enver Hoxhës përmes mjekimit dhe nxjerrjes së autopsisë si vdekje natyrale për shkak të patologjive të shumta që ai kishte.

Zonjës që akuzon gjithë botën, unë i jam përgjigjur prej kohësh dhe nuk e kuptoj pse vazhdon që të përsërisë veten. Zonja në fjalë njërin e bën agjent të UDB-së, tjetrin agjent të KGB-së, thua se këtu ka qenë qendra botërore e agjenturave. A është për t’u besuar?! Kjo është qesharake. Ajo ka qenë një ndër pacientet e mia dhe unë i uroj shëndet të mirë mendor dhe fizik. Por unë nuk mund t’u përgjigjem pacienteve të mia. Unë do t’ju sugjeroja juve që të pyesnit dhe bashkëshortin e saj, Sokolin, djalin e Enver Hoxhës. A mendon edhe ai njëlloj si bashkëshortja e tij për nënën e tij?!”, tha Kalo.

Sipas tij, punën si mjek e kanë vlerësuar institucionet e vendit. “Unë kam mbajtur një detyrë zyrtare dhe shtetërore, të cilën e kam përmbushur me profesionalizëm e për të cilën unë kam marrë falenderime dhe dekorata shtetërore”, tha profesor Kalo.

Në një intervistë dhënë pak kohë më parë, profesor Kalo është shprehur se dosja mjekësore e Enver Hoxhës, e cila ishte tepër sekrete, është mbajtur në shtëpinë e tij deri kur është bërë ndryshimi i sistemit.

“Në kohën që janë bërë ndryshimet e sistemeve, kartela ka qenë në shtëpi. Nuk di të them nëse ajo mbeti në familje apo gjendet në arkiv. Enveri, vonë, pasi dolën problemet me Mehmet Shehun, është interesuar të dijë se ku është dokumentacioni i tij dhe nuk donte që të kishte akses në të as drejtori i Klinikës speciale dhe as ministri i Shëndetësisë”, është shprehur Kalo./Panorama/