Izetbegoviç në mëdyshje: të bëhet me Serbinë apo me Kosovën?

Anëtari boshnjak i Presidencës së Bosnjë-Hercegovinës, Bakir Izetbegoviç ka thënë se ai dhe anëtari tjetër, Dragan Çoviç, kanë pikëpamje të ndryshme në lidhje me njohjen e Kosovës, njofton Blic.

Izetbegoviç ka sqaruar për Al Jazeera arsyen pse foli pa radhë në konferencën e djeshme për shtyp.

“Për shkak se zoti Çoviç, ditë më parë në media, tha se Kosova duhet t’i lihet Beogradit. Unë më pas reagova për shkak se ai nuk mund të më thotë gjëra të tilla, dhe pastai ai i përsëriti edhe në takim”, ka thënë ai, përcjell Konica.al.

“Unë i kam thënë Draganit ‘Mos flisni, ju lutëm, gjëra të tilla në emër të treve, për shkak se unë nuk mendoj ashtu, dhe ne sigurisht se do të konsiderojmë çfarë mendojnë Beogradi, Prishtina dhe Bashkimi Evropian. Por mos i thuaj këto në emër të treve. Unë desha vetëm t’i qartësoja këto gjëra”, ka thënë Izetbegoviç.

Ndërkaq Mlladen Ivaniç, anëtari serb i Presidencës së Bosnjës, ka thënë se mosmarrëveshja e djeshme në konferencën e shtypit jep një tablo të qartë të gjendjes në vend.

Në takimin e djeshëm në Beograd, presidenti Aleksandër Vuçiç, si nikoqir i takimit, ka folur me anëtarët e presidencës së Bosnjë-Hercegovinës për autostradën Beograd-Sarajevë, themelimin e kufijve apo shkëmbimin e territoreve, si dhe për bashkëpunimin ekonomik.