Ja pse Peleshi më mbush mendjen

Nga Ilirjan Blloshmi

Im kushëri më dergoi para do ditësh një link ku ishte në një debat Niko Peleshi dhe Myslim Murrizi. Arsyeja pse im kushëri ma dërgoi këtë link ishin bërë debatet që kishim për figurat e majta. E dëgjova, dhe Peleshi më pëlqeu shumë. E meqenëse na ka kapur ‘sindroma facebook’ bëra një status, shpreha: Niko më pëlqeu, e sot befti një bisedë më një mikun tim që për hir së vërtetës, nëse e shan nga nëna dhe mund të gjesh një mënyrë për ta qetësuar. Por ama, po e shave nga PD e veçanërisht për Berishën, të jesh i sigurt që je në dysheme. Po më thonte: Pse vlerëson Peleshin dhe jo Murrizin? Peleshi është i majtë nuk duhet votuar këmbëngulte.
Asnjë herë nuk i kam kuptuar votuesit patologjikë të partive, qoftë PS, qoftë PD. Brezi im futet tek ai brez që nuk e arriti komunizmin, por jemi një brez që u rrit me bëmat e komunizmit. Aq shumë ishte tiposur në kokën time se të majtët janë komunistë, e të djathtët janë antikomunistë. Asnjëherë nuk i kam kuptuar të mitë që votonin aq symbyllur për PD-në, nuk i kam kuptuar se si im gjysh votonte PD-në, pavarësisht se PD-ja në Librazhd vendosi në krye të saj të birin e një e personi që në gjyqin e tim xhaxhai kishte thënë se ata lexojnë libra të huaj. Nuk e kam kuptuar asnjëherë tim atë që votonte aq symbyllur PD-në, ai nuk u tërhoq së votuar PD-në as kur Luçiano Boçi, Ali Turhani doni të më digjnin fakultetin vetëm e vetëm pse shkruaj për kryetarin e PD-së, të Librazhdit.
Po le t’i kthehemi arsyes pse po i rreshtoj këto rreshta. Pasi dëgjova Peleshin, ndryshova mendje për të, e ndryshova, se më kënaqi artikulimi, qetësia, qytetaria e tij, e mbi të gjitha ishte vetvetja në çdo argument. Kishte kohë që e majta përfaqësohej nga një grup i vogël. Ishte krijuar një ide (përgjithsisht tek të djathtët) se e majta nuk ka intelektualë, apo se kjo forcë bazohet tek të fortët apo tek të pasurit. Deri diku dhe unë kështu mendoja, kam ndjekur në çdo debat Arben Malajn, Anastas Angjelin, kjo për shkak se janë dy nga ekonomistët më të mirë që ka jo vetëm e majta, por dhe Shqipëria. Më ardhjen në pushtet, Rama vendosi një grup që i shikonim në çdo studio. Flsite për ekonomi një Blerina Gjylameti, që nuk ka asnjë lidhje me ekonominë. Sado që Elisa i thotë Skënderbe Ramës, ajo nuk fiton simpatinë e të majtëve, ama qetësia dhe vlera e Peleshit i bën të majtët krenarë. Sa do doja që në atë parlament të bënte një debat, fjala vjen, Fitim Zekthi dhe Niko Peleshi. Po ç’e do në atë parlament bën debat Elisa Spiropali me Klevis Balliun.
Partitë polike i bëjnë personalitetet dhe intelektualët, nuk i bëjnë kurrë politkat e tyre. Qoftë të majtët, qoftë të djathtët, kur janë në opozitë, ndjekin politika të majta, asnje parti nuk bën politkë të djathtë kur është në opozitë. Norberto Bobbio tek “E djathta dhe e majta” shkruan: “Ideologjitë midis të majtëve dhe të djathtëve janë zhdukur, Ideologjitë e së kaluarës janë zëvendësuar me të tjera, të reja ose që pretendojnë se janë të reja. Pema e ideologjive mbetet kurdoherë e bleruar. Veç kësaj, siç është vënë re më shumë se një herë, vetë pohimi i krizës së ideologjive është më se ideologjik. Le pastaj që “e majta” dhe “e djathta’ nuk kanë të bëjnë vetëm me ideologjitë” E ne në Shqipëri asnjë herë nuk kemi votuar për politikat që ndjek X parti apo Y politikan, ne votojmë patologjikisht ne nuk e duam politikanin e partisë që është kundër partisë tonë. Pavarësisht se ai mund të ketë vlera. E mua këtë herë një i majtë më bëri të kem respekt, e kjo nuk është gabim.