Jerusalemi kryeqytet i Izraelit, të gjithë kundër Trump

Krahas vendeve që dënuan ashpër vendimin e Donald Trump për të njohur Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit, u rreshtua edhe Arabia Saudite.

Aleati më i madh i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në botën arabe, në një komunikatë për shtyp, tha se ky hap i ndërmarrë nga Trump ishte i pajustifikueshëm dhe i papërgjegjshëm.

Ndërkohë edhe kryeministrja britanike Theresa May tha se nuk është dakord me vendimin e SHBA-ve, pasi nuk ndihmon për paqen në rajon.

Në të njëjtin kuadër u shprehën edhe presidenti francez Emmanuel Macron dhe kancelarja gjermane Angela Merkel.

Nga ana tjetër, nuk është i këtij mendimi kreu i OKB-së, Antonio Guterres, i cili tha se ky është një moment ankthi i madh dhe se nuk ka opsion tjetër për paqen në rajon veç zgjidhjes dyshtetërore.

Mësohet se, 8 nga 15 anëtarët e Këshillit të Sigurimit kanë kërkuar një takim urgjent për të diskutuar këtë çështje, që sipas tyre u jep fund përpjekjeve për paqe.

Megjithatë, nuk duken të gjithë të bindur për këtë, pasi zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë, me kusht anonimiteti, thanë për CNN-in se pritet që priocesi i paqes të dëmtohet përkohësisht nga njohja e Jerusalemit, një çmim që administrata ishte e gatshme ta paguante për mbajtjen e një premtimi të fushatës.