Jo vetëm Lazio e Napoli, Milot Rashicën e duan edhe në Angli

Milot Rashica është një nga më të kërkuarit në merkato. Mesfushori kosovar ka kohë që ndiqet nga Napoli, por kohët e fundit edhe Igli Tare i ka vënë “syrin” futbollistit të Vitesses. Por mësohet se edhe trajneri spanjoll i Newcastle, Rafa Benitez, pëlqen talentit nga Kosova, madje mund të bëjë ofertën në klubin holandez që në merkaton e janarit.

21-vjeçari nga Vushtrria u transferua në Eredivisie direkt nga kampionati kosovar më 2015-ën, më saktësisht nga Llamkos Kosova, siç quhej atëherë. Në 77 paraqitje, sulmuesi i krahut ka realizuar 13 gola dhe është njëri ndër më të mirët te skuadra holandeze. Milot Rashica nga viti 2016 është edhe pjesë e ekpit kombëtar të Kosovës, ndërsa më parë ka qenë edhe pjesë e Kombëtares së Shqipërisë.

Newcastle United do të ishte një destinacion shumë interesant për të, pas vlerësimeve që ka marrë në Holandë. Për momentin nuk ka asgjë konkrete rreth këtij transferimi të mundshëm dhe në njëfarë mënyre planet e Benitezit për përforcime të reja janë komplikuar edhe nga negociatat për marrjen e klubit nga pronarë të rinjë.

Në këto bisedime mund të ndërhyrjë edhe Chelsea, që Vitessen e ka partner formal dhe në njëfarë mënyrë skuadra holandeze është satelit i klubit londinez. Në fakt çdo shitje e madhe nga holandezët nuk mund të kryhet pa miratimin e skuadrës londineze.