Karl fon Klauseviç, filozofi i luftës, logjiku dhe brilanti…

Padyshim më i thelli nga teoricienët ushtarakë, por nuk ekziston asnjë botim i plotë i punëve të tij; ai shkruajti artikuj dhe ese të panumërta, analiza të ndryshme të fushatave, dhe dorëshkrime të tjera të pakryera të “Mbi Luftën”; novacionet e tij në teori përfshinin citatin se “lufta ishte një vazhdimësi e politikës me forma të tjera” dhe konceptin e “fërkimit”, kuptohet akumulimi i rraskapitjes, fati i mirë, dhe gabime të vogla që e shkaktojnë devijimin e planit, “kjo e bën të lehtën të vështirë”.

Karl von Klauseviçi (1780-1831) luftoi në ushtrinë prusiane kundër francezëve. Pas shpartallimit të ushtrisë prusiane nga Napoleoni, ky i fundit e urdhëroi Prusinë të kontribuonte me një korpus në Armatën e Madhe për pushtimin e Rusisë. Klauseviçi dha dorëheqjen nga ushtria prusiane dhe u bashkua me atë ruse.

Karl fon Klauseviç

Në shërbim të Rusisë (së bashku me rreth 30 gjeneralë të tjerë) ai ndihmoi për të bindur një korpusin prusian që të bashkohej me rusët. Pas përzënies së Napoleonit nga Rusia, ai u përpoq të bashkohej sërish me ushtrinë prusiane, por mbreti i Prusisë Vilhelmi i mërzitur nga roli i tij në fushatën ruse (dhe, padyshim ende i trembur nga Napoleoni) nuk e pranoi deri pas abdikimit të perandorit francez.

Klauseviçi u kthye si vrojtues i thjeshtë. Me një fjalë Klauseviçi dinte shumë për luftën, madje në këndvështrime të ndryshme. Por ai u bë i famshëm jo me bëmat, por me shkrimet e tij. Duke filluar që nga Sun Cu në vitin 500 pr. K, qindra shkrimtarë kanë shkruar për luftën, por asnjëri nuk ka pasur ndikim sa Klauseviçi.

Në librin e tij “Shtatë shtyllat e mençurisë”, T. E. Laërence tregon se lexonte teoricientët ushtarakë, si: Napoleoni, Kemererin, Moltken, Jominin, Uilisenin, Saksin dhe Gibertin, por “Klauseviçi nga ana intelektuale ishte mjeshtri i tyre dhe libri i tij ishte kaq logjik dhe magjepsës, saqë në mënyrë të pavetdijshme e pranova përfundimin e tij”.

Megjithatë Laërence i hodhi poshtë idetë e Klauseviçit kur drejtoi luftën e tij guerile kundër turqve. Klauseviçi thoshte se “qëllimi i çdo gjenerali duhet të ishte shkatërrimi i ushtrisë së armikut” Laërence e dinte se nuk ishte aq i fortë sa ta bënte një gjë të tillë, ndaj sysonte të mos e shpartallonte garnizionin turk të Medinës, i cili do t’i shteronte burimet turke, por do të ishte tepër i dobët për të shkaktuar ndonjë dëm.

Klauseviçi e dinte se parimetqë ai vetë parashtronte ishin një teori ideale lufte dhe se, në praktikë, do të kishte variacione të shumta, shpesh për shkak të atyre, shpesh për shkak që ai i quante fërkime. Ai besonte se fërkimet mund të përfshihen gjithçka, nga moti, fati i mirë e deri të gabimet e vogla. Ai ishte teoricienti i parë ushtarak që i futi fërkimet si elemente që duheshin marrë në konsideratë.

Rregullat e tij synonin t’i rëduktonin në maksimum fërkimet, por ai e dinte se nuk mund të eleminoheshin.

“Një pjesëmarrës në luftë, – thoshte ai, -duhet t’i modifikojë parimet e veta ideale për disa arsye; për shembull, kur e dinte se armiku ishte aq i dobët, saqë nuk ishte e nevojshme të ushtronte forcë maksimale ose kur mund t’i arrinte objektivat duke ushtruar një forcë më të paktë.”

Rasti i fundit është një shembull i rolit që luan politika në luftë. Klauseviçi mendonte se politika ashtu si dhe dhuna fizike, është një nga komponentët kryesorë bazë të luftës. Klauseviçi e kuptonte se armët dhe taktikat ndryshojnë. Ai u mundua të paraqiste parimet bazë të luftës.

Ai kërkonte gjithashtu të paraqiste atë që e quante “analizë objektive të luftës”, prandaj nuk i përmendte fare parimet e saj morale. Klauseviçi nisi të shkruante për luftën kur ishte 20 vjeç dhe shumë nga mendimet e tij të hershme u përfshinë në veprën “Vom Krieg” (Mbi Luftën).

Shkrimet e tij u ndikuan shumë nga filozofët gjermanë Emmanuel Kant dhe Georg Hegel, sidomos në kapitullin e parë. Libri është organizuar në mënyrë të tillë që kalon ngga e përgjithshmja në hollësi dhe ndahet në 8 kapituj:

1. Mbi natyrën e luftës
2. Mbi teorinë e luftës
3. Mbi strategjinë në përgjithësi
4. Luftimi
5. Forcat ushtarake
6. Mbrojtja
7. Sulmi
8. Planet e luftës

Ndonëse Klauseviçi donte të paraqiste parimet themelore, ai nuk mund ta shpërfillte krejtësisht teknologjinë aktuale. Rrjedhimisht, disa nga idetë e tij janë vjetëruar. Klauseviçi vdiq para se të mbaronte librin “Mbi luftën”, por e veja e tij, Maria, ia mblodhi shkrimet e papublikuara dhe i botoi. “Mbi luftën” konsiderohet ende si vepra më e plotë e teorisë ushtarake.