Kërkohet shkarkimi i zëvendëskryeministrit që gjuajti me armë zjarri

Lidhja Demokratike e Kosovës ka kërkuar sot shkarkimin e menjëhershëm të zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Diasporës, Dardan Gashi, për shkak të gjuajtjes me armë në odën e Fatmir Limajt në Bajë të Malishevës.

Mediat patën publikuar një video ku shihej ish-kryetari i Skenderajt Sami Lushtaku, zëvendëskryeministri Dardan Gashi dhe këshilltari i Limajt Endrit Shala, të cilët po gjuanin me armë zjarri teksa po festonin lirimin e Limajt nga akuzat për krim të organizuar dhe korrupsion.

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së Avdullah Hoti, gjatë një konference për media, ka bërë me dije se ka dorëzuar në Kuvend kërkesën për interpelancë me kryeministrin Ramush Haradinaj, lidhur me siç tha ai të shtirjes me armë dhe sjelljen e pahijshme të zyrtarëve të lartë të Qeverisë, përkatësisht zëvendëskryeministrit dhe ministrit të diasporës, Dardan Gashi.

“Ne vlerësojmë se ajo sjellje bie ndesh me kodin penal të Republikës së Kosovës për armbajtës pa leje për rrezikim të sigurisë publike, por mbi të gjitha bie ndesh me etikën e lartë që duhet të kenë zyrtarët e institucioneve… Ne kërkojmë interpelancë të kryeministrit të diskutojmë se si mundet një zyrtar i lartë të sillet kështu dhe e dyta do të kërkojmë që Kuvendi i Kosovës të votojë për shkarkimin e menjëhershëm të zëvendëskryeministrit dhe ministrit të diasporës, z Dardan Gashi”, ka thënë Hoti.