Kompanitë e mëdha/ Ahmetaj: S’ka më dy bilance

Ministri i Financave dhe Ekonomisë Arben Ahmetaj ka folur sot për angazhimin e qeverisë për të njohur vetëm një bilanc të kompanive të mëdha.

Në një deklaratë për mediat ai u shpreh kompanice do tu njihet vetëm një bilanc zyrtar i cili është i përputhur me pasqyrën tatimore.

Kompanitë e mëdha vijojnë të operojnë me dy bilance. Kemi marrë angazhimin që kompanive tu njihet vetëm një bilanc zyrtar që është i përputhur me pasqyrën tatimore. Do të konkretizohet me të gjitha detajet teknike nga Banka e Shqipërisë dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë në ditët në vazhdim”, tha Ahmetaj.

Ai deklaroi se janë dy aspekte për këtë nismë.

“Së pari ulja e kredive me probleme në ekonomi. Kjo problematikë u trajtua gjerësisht në mandatin e parë. Grupi i punës hartoi një strategji me qëllim reduktimin e kredive me probleme, ku një ndër masat ishte dhënia e kredive vetëm në bazë të deklaratave tatimore. Ky plan masash është konsultuar edhe me bankat e nivelit të dytë. Duhet të vendoset një normë e re në marrëdhënien mes bankave dhe kompanive. Sot niveli i kredive me probleme është 14.4%, rreth 10% më i ulët se viti 2013, e për këtë Banka e Shqipërisë e Guvernatori meritojnë një përshëndetje për punën e tyre.

Me qëllim frenimin e kredive të këqija, kemi ndërmarrë këtë nismë. Në këtë fazë të dytë, kemi fokus të posaçëm te biznesi i madh, duke bërë një skanim të thellë të riskut që janë shfaqur gjatë punës tonë. Bilancet fiktive shmangin detyrimet tatimore, dhe ka fshehje të deklarimit të saktë të pagave”, u shpreh ministri Ahmetaj.