Kryeprokurori Bardhi: Mandati, jo nga politika dhe parlamenti

Zgjedhja e Kryeprokurorit ka hapur një konflikt të ri mes maxhorancës dhe opozitës. Lulzim Basha ka refuzuar ftesën e Ramës për pakt kombëtar për integrimin duke filluar nga çështja e kryeprokurorit.
Rreth kësaj çështje ka folur sot ish-ministri i drejtësisë, Gazmend Bardhi. I ftuar në studion e Report Tv, Bardhi u shpreh se qëndrimi i opozitës është i qartë. Sipas tij Kryeprokurori nuk mund të zgjidhet as nga politika dhe as nga parlamenti. Sipas Bardhit, rrugët ligjore që do të ndjekë opozita në lidhje me këtë çështje, do të përcaktohen pas një veprimi konkret nga  maxhoranca.

“Fillimisht duhet të shikojmë hapat që do të marrë deri në përfundim të procesit maxhoranca. Qëndrimi jon është i qartë, nuk ka një dispozitë kushtetuese që i jep autoritet Kuvendit për të vijuar me këtë proces. Është e pritshme që maxhoranca ti thërrasë arsyes e të fshi këtë proces në shinat e zbatimit ët Kushtetutës, nëse nuk e bën këtë e shkel Kushtetutën, atëherë ne do të ndërmarrim të gjitha hapat të cilat do të vlerësohen në momentin që do të kemi hapa konkretë nga maxhoranca.Qëndrimi i PD është që politika dhe Kuvendi nuk përcaktojnë dot kohëzgjatjen e Kryeprokurorit të Përgjithshëm. Për momentin ka një dilemë kushtetuese. Kushtetuta në këtë rast ka heshtur”, tha Bardhi.

Në lidhje me deklarat e Ambasadorit Lu ditën e sotme, i cili doli kundër kreut të Partisë Demokratike, Bardhi u shpreh se respekton opinionin e tyre, por duhet të prevalojë zbatimi i Kushtetutës sipas tij.

“E kam të vështirë të komentoj deklaratat e tyre, qëndrimet e tyre janë publike. Ndërsa qëndrimi jonë është i prerë: të zbatohet Kushtetuta. Ne duhet të plotësojmë boshllëkun ligjorë.

Respekt për opinionin e cilit do, edhe të diplomatëve të huaj apo ekspertëve të tjerë. Nuk është hera e parë kur Ambasadori Lu aspo Vlahutin kanë një qëndrim të caktuar mbi qasjen lidhur me Reformën në Drejtësi, edhe në shtatorë të 2015 mbështetën draftin e hartuar nga maxhoranca në mënyrë të njëanshme, e cila u hodh poshtë në 90% të tij nga Komisioni i Venecias.

Të njëjtën gjë bën edhe në janar të 2016, ku maxhoranca e asaj kohe prodhoi një tjetër draft në mënyrë të njëanshme. Prandaj opinionet e secilit duhet të respektohen, por zbatimi i Kushtetutës duhet të prevalojë”, u shpreh Bardhi.