Kukan i jep sinjalet ministrit Xhafaj: Gjithçka varet nga ju!

Gjatë takimit të mbajtur me ministrin Xhafaj, europarlamentari Eduard Kukan ka vënë në dukje arritjet e Shqipërisë, për të cilën u shpreh mjaft optimist për reformat e nisura. Gjatë vizitës në Bruksel, Ministri i Brendshëm shqiptar u takua me anëtarët e Parlamentit Evropian, Eduard Kukan dhe Gianni Pitella.

Kukan u shpreh gjatë takimit se për arritjet e Shqipërise, ka vlerësime pozitive në Bruksel. “Po përpiqemi për çeljen e negociatave. Reformat e nisura duhet të vazhdojnë”, tha Kukan.

Ai shtoi në bashkëbisedimin me ministrin e Brendshëm Xhafaj, se egziston një atmosferë e mirë brenda institucioneve të BE-së në Bruksel, dhe Shqipëria ka bërë progres.

Nga ana tjetër, Kukan nënvizoi se kanë nisur shumë procese që duhet të përfundojnë e në këtë kontekst, Ministria e Brendshme ka rol kryesor.

“Siç e kam thënë shpesh, BE do të ndihmojë, por ju jeni ata që do ta kryeni procesin”, tha Kukan.

Ministri Xhafaj e falenderoi eurodeputetin për ndihmën e dhënë për Reformën në Drejtësi dhe theksoi se implementimi mbetet një proces shumë i rëndësishëm.

Në takimin me eurodeputetin Gianni Pitella, Xhafaj prezantoi prioritetet dhe dokumentin politik të Ministrisë së Brendshme. Xhafaj kërkoi nga BE-ja të ndjekë procesin e implementimit të Reformës në Drejtësi. Sipas tij, kjo reformë mund të jetë shembull për rajonin.

Ministri informoi deputetët e PE-së mbi rezultatet e vitit 2017, në luftën antikanabis dhe i njohu me detaje të përgjithshme nga Plani i Veprimit kundër krimit të organizuar dhe grupeve kriminale/Operacioni “Forca e Ligjit”.

Ministri nënvizoi se duke pasur parasysh progresin e bërë, qeveria pret që viti 2018 të jetë vendimtar për rrugëtimin evropian të vendit. Po kështu theksoi se vullneti politik dhe angazhimi i qeverisë për të forcuar sundimin e ligjit, janë të palëkundur.