Kulla e Sahatit në Tiranë ngjyroset portokalli/ Zbuloni arsyen!

Mbrëmjen e sotme, Kulla e Sahatit në Tiranë u ndriçua tërësisht me ngjyrë portokalli, një ndër ngjyrat zyrtare të fushatës UNITE të Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, si pjesë e fushatës globale për të përkujtuar 16 Ditët e Aktivizimit Kundër Dhunës me Bazë Gjinore.

Mësohet se të pranishëm në ceremoninë e organizuar me këtë rast ishin, Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, Koordinatori i Përhershëm i OKB Brian Williams si dhe përfaqësuesi i UN Women, Giuseppe Belsito.

“Nga të gjitha ndriçimet, ky që bëjmë tani është më speciali se ka një mesazh shumë të veçantë sepse bëhet në një fushatë që unë e kam shumë përzemër, që nga koha që kam punuar në ministri dhe jam përfshirë më shumë në çështjet e mbrojtjes së të drejtave të grave dhe sidomos në emancipimin e luftës kundër dhunës ndaj grave dhe besoj që do të më shoqërojë gjithë jetën.

Unë ju ftoj të gjithëve që me kujtimin e kësaj ndezje të posaçme secili prej nesh duhet të kuptojë se ka një mision. Sigurisht ju mund të thoni që misionin kryesor e kanë ata që e kanë për detyrë. Unë besoj që jo vetëm ata që e kanë detyrë që mundohen ta bëjnë këtë punë si një punë të përditshme, por secili prej nesh e ka në dorë nga mënyra se si trajton gratë, zonjat, vajzat në shtëpinë e vet, në shkollën e vet, në vendin e vet të punës”, pohoi Veliaj.