BE kundër vendimit të Trump për Izraelin/ Mogherini: Zgjidhja e vetme reale është…

Bashkimi Evropian duket se nuk e ka pritur shumë mirë vendimin e Presidentit Trump për të njohur Jerusalemin si kryeqytetin e Izraelit.

“Përfaqësuesja për Politikë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Federica Mogherini, tha se ky vendim i presidentit të SHBA-ve është shqetësues dhe mund të sjellë periudha më të errëta”, shkruan Reuters.

Deklaratën e mësipërme, Mogherini e mbajti në takimin me mediat në Komisionin Evropian.

“Njëzet e tetë vende – anëtare të BE-së pajtohen se zgjidhja e vetme reale është me dy shtete, dhe se Jerusalemi duhet të jetë kryeqytet i dy vendeve. Vendimi i presidentit Trump mund të na sjellë në periudha më të errëta”, tha Mogherini.

Mogherini theksoi se Jerusalemi është një çështje që prek tërë bashkësinë ndërkombëtare.

Përfaqësuesja për Politikë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, paralajmëroi se çështja e statusit të Jerusalemit do të jetë tema kryesore e bisedës gjatë takimit me kryeministrin e Izraelit, që të hënën do të arrijë për vizitë në Bruksel.