Marsejë/ Presidenti Meta i jep dekoratën “Nënë Tereza” Sylviane Muselierit

Presidenti i Republikës Ilir Meta, ditën e sotme në Marsejë i ka dhënë dekoratën “Nënë Tereza”, Sylviane Muselier për kontributin e saj me ndihma humanitare e pajisje mjekësore për fëmijët dhe njerëzit në nevojë në spitalet e Shqipërisë.

Meta thekson se dashuria e saj për Shqipërinë buron nga dashuria e saj e pafund për Mbretëreshën Geraldinë, motrën e saj më të madhe.

Deklarata e Metës:

Ishte jo vetëm një detyrim institucional, por edhe një nder i veçantë t’i dorëzoja sot në Marsejë, Sylviane Muselier, një zonje të jashtëzakonshme, Dekoratën e lartë “Nënë Tereza”, për kontributin e pamatë që ka dhënë me ndihma humanitare e pajisje mjekësore për fëmijët, njerëzit në nevojë e spitalet e Shqipërisë.

Kjo zonjë me zemër të madhe është, edhe e rezistencës, edhe e paqes, edhe republikane, edhe mbretërore, në shpirt dhe në vepra.
Ajo e ka kthyer shtëpinë e saj në Marsejë në një shtëpi të shqiptarëve.

Dashuria e saj për Shqipërinë buron nga dashuria e saj e pafund për Mbretëreshën Geraldinë, motrën e saj më të madhe. Nderimi i figurës së Geraldinës vazhdon ende të frymëzojë shumë njerëz në Evropë e botë për të ndihmuar Shqipërinë e shqiptarët.