Mbyllen grupet e Europa League, rezultatet dhe ekipet e kualifikuara (Video)

Na ishte njëherë…Kështu nisin përrallat dhe me këtë fjali mund të përmblidhet edhe situata që po kalon Milan prej disa vitesh tashmë, ku tashmë rrezikon edhe një përjashtim nga UEFA në kompeticionet europiane. Pas barazimit befasues në fushën e Benevento-s, ka ardhur një tjetër rezultat zhgënjyes. Ekipi i Gattuso-s e ka mbyllur fazën me grupe të Europa League më një humbje 2-0 në fushën e Rijeka-s. Fatmirësisht kjo nuk ka ndikuar në kualifikim, me kuqezinjtë që mbajnë vendin e parë në grup, pasi Austria Vjenë-AEK përfundon 0-0.

Në ndeshjet e tjera të orës 19:00, ka spikatur fitorja 3-0 e Everton në fushën e Apollon Limasol të Qipros. Gjithsesi, kjo fitore nuk vlen aspak, sepse anglezët janë skualifikuar. Në këtë grup Atalanta ka mposhtur 1-0 Lyon-in dhe së bashku me Zenit (16 pikë), janë dy skuadrat që grumbulluan më shumë pikë në fazën me grupe. Portieri Etrit Berisha ka bërë një tjetër paraqitje të mirë. Lyon, pavarësisht humbjes, kualifikohet si vendi i dytë.

Në ndeshjet e orës 21:05, ka rënë në sy fitorja e thellë e Arsenal ndaj BATE Borisov. Londinezët, edhe pse ishin të kualifikuar, nuk janë kursyer aspak ndaj bjellorusëve, duke shënuar plot gjashtë gola. Po në këtë grup, Crvena Zvezda ka thyer Koln 1-0 dhe bashkë me Arsenal janë kualifikuar më tej. Vardar i Shkupit, pjesëmarrës për herë të parë në grupe, ka marrë pikën e parë, duke barazuar 1-1 me Rosenborg.

Lazio ishte duke humbur në Belgjikë ndaj Zultes deri në minutën e 67-të, teksa kishte pësuar dy gola, por Caicedo dhe Lucas Leiva arrijnë të barazojnë për një moment në 2-2. Megjithatë, në 83’, vendasit kalojnë në avantazh dhe fitojnë 3-2. Lazio e mbyll grupin me 14 pikë, si vend i parë, ndërsa Strakosha ishte lënë pushim për sot. Ndeshja tjetër e këtij grupi Vitesse-Nice përfundon 1-0, por francezët zënë vendin e dytë dhe kualifikohen. Marseille ka rrezikuar në barazimin 0-0 me Salzburg, por kalojnë të dy ekipet grupin përkatës.