Ministri Gjiknuri: Shqipëria pjesë e projekteve të zhvillimit në Ballkanin Perëndimor

Ministri Damian Gjiknuri ndodhet në Bruksel ku edhe mori pjesë në takimin e Ministrave të Transportit dhe Infrastrukturës të Vendeve të Ballkanit Perëndimor me pjesëmarrje të përfaqësuesve të Komisionit Evropina. Ky takim u kryesua nga Komisionerja për Transportin Violeta Bulc.

Ministri Gjiknuri pas këtij takimi u shpreh: “Ishte një takim që mblodhi ministrat e rajonit me rastin e themelimit të komunitetit të transportit, organizatë e ngjashme me Komunitetin e Energjisë që është tashmë në Vjenë. Ky organizim i Bashkimit Evropian tregon një hap tjetër më të rëndësishëm në drejtim të integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian. Kjo organizatë do të përdoret si një urë bashkëpunimi, si një institucion i rëndësishëm për harmonizimin e projekteve, promovimin e vlerave të njëjta, harmonizimin e politikave të transportit mes shteteve dhe synimi final është padyshim integrimi i krejt rajonit në Bashkimin Evropian edhe sa i takon infrastrukturës e transportit”.

Sipas Ministrit Gjiknuri, përmes këtij organizimi do të mund të kordinohen vendet më mirë për projektet dhe për të thithur fonde të Bashkimit Evropian duke plotësuar hendekun që Ballkani Perëndimor ka sa i takon infrastrukturës. Gjatë qëndrimit të tij në Bruksel Gjiknuri ka zhvilluar edhe takimet të tjera me homologët e tij të shteteve të rajonit.