Përmbytjet në Mazrek/ Kur një emision televiziv sistemon brenda 24 orëve familjen Mici të mbetur në qiell të hapur

Përmbytjet e ditëve të fundit lanë në mes të katër rrugëve familjen Mici në Mazrek të njësisë administrative të Kasharit.”Stop” iu përgjigj thirrjes së familjes së përbërë nga 8 anëtarë, mes të cilëve një e moshuar 90-vjeçare. Shtëpia e tyre është bërë e pabanueshme për shkak të intensitetit të reshjeve..

Gazetarja e emisionit “Stop” ka udhëtuar drejt banesës së familjes Mici.

“Ndodhemi në fshatin Mazrek, njësia administrative Kashar tek familja Mici, ku shirat e fundit e kanë kthyer banesën në banesë të pabanueshme. Kuzhina, është në një gjendje të mjerueshme, muret e saj janë çarë.

Ambienti i ndenjes, është totalisht jashtë çdo funksioni, por edhe dhomat e tjera janë në një gjendje skandaloze dhe nga momenti në moment mund të bihen”.

Liljana Mici: Momentalisht jemi 6 persona, çunin e kam dërguar tek motra në Golem, gocën madhe e kam çuar tek burri. Kur ranë shirat, i telefonova policisë, na morën dhe më çuan në një qendër sociale, dhe më mbajtën dy ditë dhe më nxorën. Kur erdha këtu, pashë që më kishin rënë tavanet dhe muret. Mora menjëherë “Stop’” në telefon dhe dua ndihmë, më merrni dhe më çoni ku të doni. Sot nuk kam ku të fle, kam frikën e kalamajve.

Xhemal Mici: Qendra sociale na mbajti dy ditë dhe na nxori jashtë. Ku të shkojmë më fëmijët, nëna është 90 vjeç, ku ta çojmë, ta lemë jashtë në të ftohtë të vdesë.

Liljana Mici: Ku ta çojmë nënë, ku është shteti që na shikon.

Gazetarja i ka komunikuar familjes së ata do të largohen nga banesa e rrënuar, për të shuar tek hoteli më i afërt meqenëse qendra sociale nga bashkia e Tiranës i ka nxjerrë jashtë.

Liljana Mici: Falënderoj emision “Stop” për këtë mundësi që na dhe nuk na la në qiell të hapur.

Erin Mici: Ne do të flemë të lumtur dhe faleminderit “Stop”.

Ditën tjetër gazetarja e emisionit “Stop” i është drejtuar njësisë administrative Kashar, ku ka komunikuar me administratorin e saj.

“Me rastin ne jemi njohur që në ditën që ka pasur shembje shtëpia, është e vërtetë që shtëpia është e pabanuar. Familja është strehuar tek qendra sociale, por ajo është një ditore. Fatkeqësisht, situata ka qenë e rënduar gjithandej, po rasti i kësaj familje është me të vërtetë i vështirë. Ne kemi kontakatur më shërbimin social të bashkisë, i kam çuar dhe udhëzimet për të plotësuar dosjen, për tu sistemuar tek qendra sociale në Tufinë. Janë liruar dy dhoma dhe këto dy dhoma do mbajnë familjen derisa të arrimë në një fazë të dytë me Emergjencat Civile. Të gjejmë një zgjidhje për riparimin e shtëpisë . Ju kërkojmë që të rrini të qetë se ne si njësi administrative, bashki, por edhe Emergjencat Civile do bëjmë maksimumin që ju të mos përfundoni më ne qiell të hapur. Ju kërkojmë vetëm pak mirëkuptim që ju të riktheheni në shtëpinë tuaj, ose në një ambient ku të jetë i përshtatshëm për vazhdimin normal të jetesës”.

Më pas gazetarja e emisionit Stop, se bashku me dy makinat e bashkisë ka shkuar tek hoteli ku u akomodua një natë më parë familja Mici dhe më pas e dërguan tek qendra sociale në Tufinë.

Emisioni Stop në kohë rekord brenda 24 orëve ka bërë të mundur sistemimin e familjes Mici./tvklan.al