Përse shqiptarët e shkatërrojnë historinë e tyre?

Sot në mëngjes kur po kaloja nga qendra e qytetit të  Shkodrës, pashë në tokë plot kurora lulesh të thyera e plot lule të petëzuara nga gomat e makinave. Hodha një sy rreth e rrotull dhe aty, në këmbë, hijebronxtë rrinte i heshtur patrioti i shquar Luigj Gurakuqi.

Me dorën në xhep, krejt indiferent ndaj gjithçkaje, thua se donte të thoshte “Pse shqetësohesh? Ti e di… Kështu ndodh çdo fillim dhjetori pasi në fund të nëntorit autoritetet vendosin kurora me lule para meje e pastaj harrojmë t’i pastrojnë!”, Luigji i madh ruante një nur madhështie.

U pashë më me kujdes… Shtatorja ishte dëmtuar, pllaka me emrin dhe aktivitetin e tij ishte coptuar dhe gërmat e arta ishin rrëzuar.

Mu kujtua menjëherë memoriali i Atë Gjergj Fishtës (memorial i thënshin!) i cili, pavarësisht shqetësimit të mëhershëm të shprehur nga Konica.al, vazhdon të rrijë i mbuluar nga zhgarravina (Çfarë paradoksi: Të zhgarravisësh në mënyrën më të shëmtuar gjëra të bukura si zemrat dhe fjalët “Të dua!”)

U largova nga aty dhe në mendje më erdhën sa e sa kronika lajmesh, me titull “Dëmtohet busti/monumenti/memoriali i këtij e atij patrioti a figure të shquar”. Këtu në Shkodër, pas gjithë shëtitjes që i bënë, është dëmtuar edhe ai i “Pesë Heronjve” që më në fund zuri vend në Rrethina. Në Elbasan, ai i Aqif Pashë Elbasanit. Në Tiranë, varri monumental i Faik Konicës. Në Durrës, monumenti i Hafiz Ali Podgoricës e të tjerë e të tjerë në gjithë hapsirën shqipfolëse.

Është e çuditshme e gjithë revolta virtuale mbarëkombëtare kur në trojet shqiptare që i përkasin vendeve fqinje dëmtohet një shtatore, një bust i figurave që kontribuan për Shqipërinë apo një shtëpi muze ku u zhvilluan takime e kuvende vendimtare për vendin tonë.

Çfarë mund të presim nga të tjerët kur ne jemi të parët që shkatërrojmë figurat e historisë tonë?!