Ruçi në SHBA, kongresmeni amerikan: Vendet tona ndajnë të njëjtat angazhime

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi ndodhet në SHBA ku edhe po zhvillon takime me zyrtarë amerikanë. Ruçi ndodhet në SHBA me ftesë të kongresmentit Robert Pittinger.

Në ditën e parë të vizitës së tij zyrtare, Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi, u prit në një takim nga zëvendëskryetari i Nënkomisionit për Terrorizmin dhe Financimin e Paligjshëm, z. Robert Pittenger.

Gjatë këtij takimi Ruçi shoqërohej nga kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, zoti Taulant Balla, nga kryetarja e Komisionit për Politikën e Jashtme, zonja Mimi Kodheli dhe nga deputeti Anastas Angjeli.

Gjatë takimit, kongresmeni Pittinger u shpreh: “Të dyja vendet tona ndajnë të njëjtat angazhime, të njejtat vlera dhe pikëpamje, si dhe të njejtat shqetësime. Ne do të mblidhemi bashkë me udhëheqësit e më shumë se 50 vendeve për të diskutuar për problemet që ne kemi, si çështja e luftës kundër terrorizmit, financimit të terrorizmit, sigurisë kibernetike dhe shkëmbimit të informacionit. Shtetet e Bashkuara të Amerikës duan që Shqipëria të jetë një vend i fortë, i sigurt dhe një vend që gëzon paqe e begati. SHBA-të kanë një lidhje të fuqishme me ju, dhe ne ju jemi mirënjohës dhe ju falenderojmë për miqësinë që kemi, e cila do të forcohet në vite”.