Rudolf Dreßler: Trump po sillet si bosi i një sipërmarrjeje industriale

Vendimi i presidentit Trump për transferimin e ambasadës së SHBA-së nga Tel Avivi në Jerusalem mund të shkaktojë një intifadë të tretë, mendon ish-ambasadori në Izrael gjerman Rudolf Dreßler.

SHBA e ka njohur Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit që prej vitit 1995 me vendim të Kongresit, por zbatimi në praktikë i këtij vendimi përmes hapjes së ambasadës në Jerusalem është shtyrë vazhdimisht për shkak të reagimeve të mundshme të shteveve arabe dhe mospranimit të një hapi të tillë nga BE-ja.

Injorancë ndaj zërave ndërkombëtarë

Prej 70 vjetësh ka një konsens ndërkombëtar që për zgjidhjen e konfliktit në Lindjen e Mesme Jerusalemi shihej si temë tabu. Sepse njohja e tij si kryeqytet do të shkaktonte një acarim të madh. Rudolf Dreßler mendon se me vendimin e tij për transferimin e ambasadës amerikane nga Tel Avivi në Jerusalem presidenti Trump po sillet si bosi i një sipërmarrjeje industriale, që bën si të ketë qejf. Sipas Dreßler këtë hap Trumpi e bëri për shkak të “injorancës kundrejt të gjitha zërave ndërkombëtarë”.

Ky nuk është vendimi i parë i pazakontë që merr Trumpi. Por sipas ish-ambasadorit të Gjermanisë në Izrael tani SHBA nuk mund të jetë më partner ndërkombëtar për bisedimet për paqe, sepse me transferimin e ambasadës në Jerusalem SHBA tregohet e partishme. Sipas tij tani përgjegjësia mbetet te Rusia, Kina dhe te BE-ja.

E mundur një intifadë e tretë

Tani sipas ekspertëve nuk bëhet fjalë për rifillimin e bisedimeve të paqes, por se si mund të pengohet shpërthimi i një dhune të re. Madje Dreßler mendon se vendimi i presidentit Trump mund të çojë një intifadë të tretë, në rast se mbajmë parasysh se çfarë çoi në shpërthimin e inifadës së dytë: pikërisht vizita e ish-kryeministrit izraelit Ariel Sharon në Malin e Tempullit, mendon Dreßler.

Gjermania do të vendosë për transferimin e ambasadës së saj nga Tel Avivi në Izrael vetëm pasi të arrihet një marrëveshje paqeje mes Izraelit dhe Palestinezëve dhe një marrëveshje për sqarimin e kryeqytetit, Jerusalemit lindor dhe perëndimor mes të dyja palëve. Nga ana tjetër Gjermania dhe vendet e BE-së duhet të mendojnë tani se cili do të jetë roli i tyre në politikën e re mes Trumpit dhe Netanjahut dhe se si Izraeli të rikthehet në tryezën e bisedimeve.

Politikani i SPD-së Rudolf Dreßler (77) ka qenë nga viti 2000 deri 2005 ambasador i RFGJ-së në Tel Aviv. (Burimi: DW)