Serbia kundërshton pranimin e Kosovës në Këshillin e Evropës

Në Serbi janë të shqetësuar se Kosova mund të pranohet në Këshillin e Europës, organizatë kjo që merret me mbrojtjen e të drejtave të njeriut, demokracinë, sundimin e ligjit dhe promovimin e kulturës europiane.

Autoritetet në Prishtinë kanë bërë të ditur se kah fundi i janarit të vitit të ardhshëm do të dorëzojnë kërkesën për anëtarësim dhe në Serbi shqetësohen se kjo organizatë, që zyrtarisht ka status neutral ndaj Kosovës, do ta pranojë vendin më të ri në Europë si anëtar, për shkak të klimës pro-kosovare që ekziston në mes udhëheqësve aktualë të organizatës, shkruan Novosit.

Më i zëshëm kundër anëtarësimit të Kosovës ka qenë, ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçic, i cili ka deklaruar se Këshilli i Europës s’mund ta pranojë Kosovën, pasi Kosova nuk është shtet.

“Nëse Kosova pranohet vetëm se është njohur nga shumica e shteteve europiane, atëherë kjo do të ishte politikë e forcës”, ka thënë ai.

Ndërsa, Milovan Drecun, kryetar i Komisionit Parlamentar të Serbisë për Kosovën, ka thënë se është e mundur që Kosova të pranohet në Këshillin e Europës, si kompensim për mospranim në UNESCO, Interpol e organizma tjerë ndërkombëtarë.