UEFA do përjashtojë Milanin, Fassone: Po na varrosin!

UEFA ka hedhur poshtë projektin e presidentit të Milan, Yonghong Li, i prezantuar nga Fassone në fillimin e nëntorit. Çfarë rrezikojnë kuqezinjtë tani? UEFA pritet t’i ndëshkojë milanezët, në rast të një kualifikimi në Champions ose Europa League. Kështu, pas Benevento-s ka ardhur një tjetër goditje për Milan-in. por kjo e fundit rrezikon të jetë më e dhimbshme, sepse shton dyshimet mbi pronësinë e re kineze.

Hedhja poshtë e dosjes prej 150 faqesh, të prezantuar nga drejtuesit kuqezinj, është një sinjal aspak inkurajues dhe komplikon planet e Fassone-s. Në Nyon nuk i kanë besuar potencialit të tregut kinez mbi të cilin Yonghong Li ka bazuar projektin e tij. Përveç dëmtimit të imazhit, Milan do të ndëshkohet, nëse do të kualifikohet në kompeticionet europiane. Ndëshkime që do të vendosen në pranverë. Rreziku më i madh është përjashtimi.

Marco Fassone nuk fshihet, por fytyra e tij nuk është aspak e qeshur: “Më vjen keq kur lexoj gazetat, ku po na bëhet një varrim i parakohshëm. Të presim vendimin përfundimtar, edhe pse nuk ka optimizëm për sanksionet e mundshme”. Administratori i deleguar i Milan-it e ka komentuar me këto fjalë lajmin mbi vendimin e UEFA-s për të mos pranuar propozimin e klubit kuqezi, që ka filluar të qarkullojë në shtypin italian.