VV: Gjyqtari Kalludra po bën gjykim të fshehtë ndaj deputetëve tanë

Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar ndaj gjyqtarit Beqir Kalludra, i cili nuk ka lejuar të transmetohet drejtpërdrejtë seanca e gjykimit të katër deputetëve të këtij subjekti.

Sipas Vetëvendosjes, ky është ‘tregues i qartë që këtu është qëllim padrejtësia, andaj u duhet që ta kryjnë këtë gjykim fshehtas’.

Në kumtesë thuhet se interesimi i publikut për këtë proces është shumë i madh, e që sipas Vetëvendosjes, kjo dëshmon se deputetët nuk janë vetëm.

Ja reagimi i plotë i Vetëvendosjes:

Kalludra po bën gjykim fshehtas e tinëz

Në gjyqin e padrejtë, sot ndaj deputetëve të Republikës Albin Kurti, Albulena Haxhiu, Donika Kadaj e Faton Topalli mediave i është ndaluar transmetimi i drejtëpërdrejtë i kësaj seance. Ky është tregues i qartë që këtu është qëllim padrejtësia, andaj u duhet që ta kryjnë këtë gjykim fshehtas.

Duke qenë se ky gjykim po bëhet për përfaqësuesit e popullit, është në interes të qytetarëve ta kuptojnë dhe ta dinë se si po gjykohen sot, përfaqësuesit e tij.
Duke ditur poashtu, që gjyqtari Kalludra ka një histori të dënimeve arbitrare pa prova e fakte e bën edhe më të rëndësishme publikim e seancave.

Në seancën e kaluar të kësaj çështje interesimi i publikut ishte shumë i lartë, që dëshmon edhe një herë se deputetët nuk janë vetëm dhe se qytetarët janë me ta.